LIVE/ Rusët avancojnë në Donbas, armët e Perëndimit vërshojnë në front: Zhvillime dramatike në Ukrainë

schedule16:04 - 15 Qershor, 2022

schedule 16:04 - 15 Qershor, 2022

Lufta është duke u zhvilluar e ashpër në lindje të Ukrainës ku rusët dhe ushtria vendase janë duke u përballur në një distancë të vogël për kontrollin e qytezave. Fronti është aktualisht në Severodonetsk, një zonë kyçe për kontrollin e Donbasit.

Ndryshe nga fronti i Kievit, rusët duken disi më të organizuar në lindje duke marrë pak nga pak zonat nën kontroll. Ekspertët e luftës vlerësojnë se nëse rusët marrin Severodnetskun dhe zonat përreth, atëhere e kanë hapur rrugën për kontrollin e Donbasit duke përmbushur kështu një ndër synimet e para të Putinit mbi luftën në Ukrainë.

Aktualisht, rusët kanë nën kontrolle dhe rajonet jugore të Ukrainës siç janë Khersoni bashkë me rrethinat krahas Krimesë së aneksuar.

Gjatë ditës së sotme në Ukrainë janë edhe kryeministrat Rama dhe Abazoviç pas një fluturimi që bën bashke me të njëjtin avion dhe 12 orëve rrugëtim me tren.

Rama është i shoqëruar nga ministrja Spiropali, ndërkohë që për sigurinë e tij atje janë përgjegjëse Forcat Speciale RENEA.

Ndiqni më poshtë gjithçka ka ndodhur sot në Ukrainë:

21:44

21:11-OKB: Më shumë se 4452 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Pothuajse 10,000 civilë ukrainas janë vrarë ose plagosur që nga shpërthimi i luftës, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shifrat e publikuara nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut sot bëjnë me dije se 4452 civilë janë vrarë, ndërsa 5531 janë plagosur.

Numri i të vdekurve që nga 24 shkurti përfshin 280 fëmijë, raporton BBC.

Shumica e viktimave dhe të lënduarve janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet dhe sulmet me raketa, thotë OHCHR.

Shifrat aktuale janë dukshëm më të larta se ato të raportuara, me viktima nga zonat e luftimeve të ashpra që ende nuk janë vërtetuar.

19:05-Zyrtari në Kiev: Kemi parandaluar një sulm terrorist ndaj udhëheqjes ukrainase

Një sulm terrorist që synonte udhëheqjen e Ukrainës është penguar nga agjencitë e zbatimit të ligjit, thotë një ministër i qeverisë në Kiev.

“Falë informacionit që marrim nga burimet tona operacionale, ne kemi arritur të parandalojmë një akt terrorist kundër udhëheqjes së vendit tonë”, është shprehur zëvendësministri i parë i Brendshëm i Ukrainës, Yevhen Yenin.

Duke folur në një intervistë televizive sot, siç citohet nga agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine, Yenin thotë se nuk mund të zbulojë asnjë detaj.

Ai ka thënë se më shumë detaje për këtë ngjarje do të bëhen të ditura pas mbarimit të luftë.

“Do të jetë e mundur të tregohet për këtë në mënyrë domethënëse më në detaje pas fitores në luftën me Rusinë”, u shpreh zyrtari.

19:04-“Në mbrojtje të integritetit territorial,” SHBA, 1 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ofruar 1 miliardë dollarë  ndihmë ushtarake për Ukrainën. Paketa përfshin artileri shtesë dhe armë të mbrojtjes bregdetare, si dhe municione për artilerinë dhe sistemet e avancuara të raketave.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti amerikan Joe Biden.

Biden bëri të ditur se ka folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky sot ndërsa shtoi se liderit ukrainas i rikonfirmoi angazhimin e SHBA-ve për t’i qëndruar në krah Ukrainës “ndërsa ajo mbron demokracinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përballë agresionit të paprovokuar rus”.

18:44-Rasti i Ukrainës, Macron: Zgjerimi i BE-së s’mund të jetë zgjidhja e vetme për stabilitetin e fqinjëve të saj

Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur sot se anëtarësimi në Bashkimin Evropian “nuk mund të jetë e vetmja përgjigje për stabilitetin” e vendeve fqinje si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

“Para së gjithash, sepse është një proces që është me të drejtë kërkues dhe sepse ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të thjeshtojmë Evropën tonë në mënyrë që të jetë më efikase,” tha Macron gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidenten moldave Maia Sandu të mërkurën në kryeqytetin e Moldavisë.

Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një komuniteti më të gjerë politik evropian për të bashkëpunuar mbi çështje kyçe si mbrojtja dhe siguria, të cilat nuk do të zëvendësonin aderimin.

Kujtojmë se liderët e BE-së do të mblidhen në fund të qershorit në Bruksel për të diskutuar aplikimet për kandidaturë të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Ky do të jetë samiti i fundit i BE-së i mbajtur nën presidencën franceze.

“Roli im është të krijoj konsensus”, tha Macron.

Franca ka marrë gjithashtu iniciativën për të udhëhequr Platformën Evropiane të Mbështetjes së Moldavisë, e cila i premton vendit të Evropës Lindore 650 milionë euro (675 milionë dollarë) ndihmë, sipas Macron.

18:17- Suedia e Finlanda në NATO, Turqia i thotë “jo” ftesës së NATO-s për bisedime trepalëshe

Turqia ka refuzuar ftesën e NATO-s për të marrë pjesë në bisedimet trepalëshe me Finlandën dhe Suedinë që si synim kanë gjetjen e një zgjidhjeje për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO.

Ankaraja kërkoi propozime konkrete nga Helsinki dhe Stokholmi për të adresuar shqetësimet e saj për terrorizmin përpara se të binte dakord për bisedimet e ndërmjetësuara, raporton Financial Times duke cituar burime nga grupi i negocimeve.

Tashmë, zyrtarët e NATO-s do të përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje përmes bisedimeve dypalëshe me secilin vend.

Një takim trepalësh i ndërmjetësuar nga zyrtarët e NATO-s ishte “qëllimi përfundimtar … por ne nuk kemi arritur ende atje,” tha një zyrtar i lartë i Aleancës për Financial Times, duke përmendur hezitimin e Turqisë për të marrë pjesë dhe “mungesën e qartësisë” mbi pretendimet e Ankarasë nga dy vendet aplikante.

Presidenti turk Rexhep Erdogan përsëriti të mërkurën kërkesën e tij për lëshime nga dy vendet nordike.

“Derisa Suedia dhe Finlanda të ndërmarrin hapa të qartë, konkret dhe vendimtarë, ne sigurisht që nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj NATO-s”, tha ai.

16:19-Bllokimi i porteve nga rusët, Ukraina eksportoi këtë qershor 40% në pak grurëUkraina eksportoi 40% më pak grurë në gjysmën e parë të qershorit sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2021.Ministria e Politikës Agrare dhe Ushqimit fajësoi për rënien bllokadën e Rusisë ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi, raporton agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.Megjithatë, gjatë gjithë vitit, ministria tha gjithashtu se eksporti i përgjithshëm, nga korriku 2021-qershor 2022 – 10.3% më i lartë se 12 muajt e mëparshëm.Ndërkohë, zëvendësministri i parë i Politikës Agrare dhe Ushqimit, Taras Vysotskyy, thotë se nëse portet e Ukrainës mbeten të bllokuara, ajo do të përdorë kontejnerë të lëvizshëm drithërash për të ruajtur ato që nuk mund të eksportohen.

15:58 – Ukraina injoron ultimatumin e Rusisë për të dorëzuar qytetin e Severodonetsk

Ukraina injoroi të mërkurën një ultimatum të Moskës për të dorëzuar qytetin lindor të Sievierodonetskut. Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë të re ushtarake për Kievin, si dhe u kërkuan aleatëve që të mos “humbasin vrullin”, në mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Sievierodonetsku, ka qenë për javë të tëra një pikë e nxehtë luftimesh që kanë rrënuar pothuajse qytetin. Të mërkurën në mëngjes, forcat ruse u kërkuan trupave ukrainase të strehuara në një fabrikë kimikatesh që të ndalin atë që e quajtën “rezistencë e pakuptimtë e të dorëzojnë armët”.

Autoritetet e Ukrainës thotë se më shumë se 500 civilë, mes tyre edhe 40 fëmijë, janë strehuar brenda fabrikës Azot, krahas ushtarëve ukrainas.

Kryetari i bashkisë së Sievierodonetskut Oleksandr Stryuk, tha se forcat ruse po përpiqeshin të sulmonin qytetin nga disa drejtime, por ukrainasit po vazhdonin ta mbronin atë edhe pse të gjitha urat mbi lumenj janë shkatërruar tashmë.

Situata është e vështirë, por e qëndrueshme“, tha ai për një televizion ukrainas. “Rrugët për të shpëtuar janë të rrezikshme, por ka disa“.

Zoti Stryuk nuk foli rreth ultimatumit të Rusisë.

Moska kishte thënë se do t’i lejonte civilët të evakuoheshin nga uzina të mërkurën, por separatistët e mbështetur nga Rusia thanë se sulmet me artileri nga ana e ukrainase i kishin prishur planet.

Guvernator i rajonit të Luhanskut Serhiy Gaidai, që përfshin Sievierodonetskun tha se ushtria e Ukrainës po vazhdon ta mbrojë qytetin dhe se po bën përpjekje për të mbrojtur nga forcat ruse edhe qytetin e Lysychanskut, që shtrihet në anën tjetër të lumit Siverskyi Donets.

Luhansku është një nga dy provincat lindore që Moska ka si objektiv t’i pushtojë. Së bashku Sievierodonetskun ato përbëjnë Donbasin, një rajon industrial ku Rusia ka përqendruar sulmin e saj që pas dështimit për të marrë kryeqytetin e Ukrainës, në muajin mars.

15:20 – Zelensky i drejtohet parlamentit çek: Putin nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën  

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua sot deputetëve të parlamentit çek dhe e krahasoi gjendjen e vendit të tij me pushtimin e Çekosllovakisë nga sovjetikët në vitin 1968.

Presidenti Zelensky falënderoi çekët për mbështetjen e tyre, ofrimin e armëve të rënda në një pikë vendimtare të konfliktit.

“Ne jemi me ju, jini me ne,” tha ai, duke cituar një rresht të famshëm nga një prej transmetimeve të fundit radiofonike në vitin 1968 përpara se ushtarët rusë të merrnin ndërtesën e Radios Çekosllovake.

Ai tha se Ukraina tani po përdor të njëjtat fjalë për t’u bërë thirrje të gjitha kombeve demokratike të botës.

Zelensky gjithashtu paralajmëroi se Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë dhe e gjithë Evropa Qendrore dhe Lindore ishte në rrezik nga agresioni rus.

14:20 –“Brenda dy vitesh, Ukraina nuk do të ekzistojë”, Kievi i përgjigjet Medvedevit: Një njeri i vogël me pasiguri të mëdha

Në një postim në Twitter, Këshilltari i presidentit ukrainas Mychaylo Podolyak e quajti ish-presidentin e Rusisë Dmitry Medvedev “një njeri i vogël me pasiguri të mëdha”, sipas skynews.

Medvedev aktualisht është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Vetëm disa ditë më parë, Medvedev kishte paralajmëruar Perëndimin se “Kalorësit e Apokalipsit janë nisur”, duke kërcënuar kështu SHBA-në dhe Perëndimin.

Ish-presidenti rus tha se Moska do të sulmonte qytetet perëndimore nëse Ukraina përdor raketat e ofruara nga SHBA, megjithëse Rusia ka bërë tashmë një seri kërcënimesh të ngjashme.

“Nëse imperializmi do të kishte një fytyrë, do të ishte Medvedev. Një burrë i vogël me pasiguri të mëdha, që ka hedhur  helm në drejtim të Ukrainës. Ukraina ishte, është dhe do të vazhdojë të ekzistojë. Pyetja është se ku do të jetë Dmitry Medvedev pas dy vitesh,” tha Mykhailo Podolyak.

10:20 – Ukraina: Kemi vrarë rreth 33 mijë rusë që nga fillimi i luftës

Ukraina ka publikuar shifrat e përditësuara të humbjeve ushtarake ruse që prej fillimit të Luftës Rusi-Ukrainë, 24 shkurt. Sipas zyrtarëve ukrainas, ushtria e tyre ka vrarë më 32.750 rusë, sipas skynews.

Ukraina pretendon se të paktën 250 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt në 24 orët e fundit. Sipas raportit të ushtrisë, Ukraina ka shkatërruar 1.440 tanke, 3.528 automjete të blinduara, 722 sisteme artilerie, 230 raketahedhës, 97 sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Gjithashtu, forcat ukrainase kanë shkatërruar 213 avionë, 178 helikopterë dhe 591 dronë.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas bëjnë me dije se 313 fëmijë janë vrarë dhe 579 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës ruse në Ukrainë. Sipas autoriteteve shumica e viktimave të fëmijëve u regjistruan në rajonet e Donetsk,  Kharkiv , Kiev , Chernihiv , Luhansk, Kherson  dhe Mykolaiv.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar dëme të rënda, miliona qytetarë janë larguar nga vendi për t’i shpëtuar bombardime ruse.

09:48 – Rusia përsërit thirrjen: Të dorëzohen ushtarët ukrainas në Severodonetsk

Rusia u ka thënë forcave ukrainase të strehuara në një fabrikë kimike në qytetin e goditur të Severodonetsk që të dorëzojnë armët, duke nxitur avantazhin e saj në betejën për kontrollin e Ukrainës lindore.

“Luftëtarët duhet të ndalojnë rezistencën e tyre të pakuptimtë dhe të dorëzojnë armët nga ora 8 e mëngjesit me orën e Moskës”, tha për agjencinë e lajmeve Interfax Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës së Menaxhimit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.

Civilët do të largoheshin përmes një korridori humanitar, tha Mizintsev.

Ukraina thotë se më shumë se 500 civilë janë bllokuar së bashku me ushtarët brenda fabrikës kimike Azot, ku forcat e saj i kanë rezistuar javëve të tëra bombardimeve dhe sulmeve ruse që kanë rrënuar pjesën më të madhe të Severodonetsk.

09:19 – Furnizimi i Ukrainës me armë, ministrat e NATO-s ,mblidhen sot në Bruksel

Përparimi i forcave ruse në Donbas është shoqëruar me thirrjen e zyrtarëve të lartë ukrainas, të cilët kanë bërë thirrje për më shumë armë nga Perëndimi, sipas BBC.

SHBA dhe Britania e Madhe tashmë janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me një numër të vogël raketash. Por Ukraina ka deklaruar se ka nevojë për më shumë armë. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin do të kryesojë një takim në Bruksel të grupit më të mad prej pothuajse pesëdhjetë vendesh, të angazhuar për të mbështetur Ukrainën dhe për të disktutuar se çfarë mund të bëhet më shumë.

Ministrat e NATO-s do të diskutojnë gjithashtu kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO.

Turqia megjithatë ka thënë se do të shtyjë aplikimin e tyre për më shumë se një vit nëse nuk i jepet garancia se shqetësimet e saj në lidhje me mbështetjen për separatistët kurdë do të marrin zgjidhje.

08:52 – Për herë të parë, sot hapet korridori humanitar në Severedonetsk

Severodonetsk është përballur me sulmet e vazhdueshme të forcave ruse gjatë javëve të fundit ndërsa rreth 80% e zonës tani kontrollohet nga Moska, sipas skynews.

Rusia tha se një korridor humanitar do të hapet për 12 orë nga ora 08:00 me orën e Moskës, duke i zhvendosur njerëzit në veri në territoret e pushtuara. Kjo është hera e parë që tentohet hapja e një korridori humanitar nga Severodonetsk.

Lexo edhe: Inteligjenca britanike: Pjesa më e madhe e Severedonetsk është në kontrollin rus

Ndërkohë, Moska u ka bërë thirrje forcave ukrainase në uzinën kimike Azot të dorëzohen. Rreth 12,000 persona kanë mbetur të bllokuar, duke përfshirë disa qindra që janë të strehuar në uzinë.

Severodonetsk është shkëputur kryesisht nga pjesa tjetër e Ukrainës pasi forcat ruse shënjestruan tre ura kryesore që e lidhin atë me rajonin e Luhanskut.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!