Rumani, shkarkohet kryeprokurorja e njësisë anti-korrupsion

schedule18:58 - 9 Korrik, 2018

schedule 18:58 - 9 Korrik, 2018

Presidenti rumun ka firmosur dekretin që shkarkon nga detyra kryeprokuroren e njësisë antikorrupsion, e njohur për dënimin e figurave të larta të politikës rumune. Në reagimin e saj, Laura Kovesi ka fajësuar pikërisht klasën politike se po pengon drejtësinë për t’i shpëtuar ndjekjeve penale.

Presidenti i Rumanisë ka shkarkuar të hënën kryeprokuroren e strukturës anti-korrupsion, Laura Kodruta Kovesi, në zbatim të një vendimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Kovesi ka qenë në krye të DNA-së që nga viti 2013 dhe nën drejtimin e saj u rrit ndjeshëm numri i politikanëve të dënuar për korrupsion.

Për aktivitetin e saj, Kovesi ka marrë një sërë lavdërimesh nga Brukseli, që e mban gjyqësorin rumun nën monitorim që prej anëtarësimit të vendit në BE. Duke reaguar ndaj vendimit, zonja Kovesi ka fajësuar politikanët në pushtet për përpjekje për të penguar gjyqësorin, duke zbutur ligjet kundër korrupsionit për t’u mbrojtur nga ndjekjet penale.

“Është normale të vësh re se synimi i politikës është të bllokojë hetimet, të bllokojë drejtësinë. Por korrupsioni mund të mposhtet, ndaj mos e ndalni luftën”, u është drejtuar Kovesi kolegëve të saj dhe qytetarëve.

Në vitet e fundit, prokurorët e DNA-së kanë kryer një sërë hetimesh ndaj korrupsionit në nivele të larta, që janë kurorëzuar me dënime të politikanëve. Mes tyre spikat rasti i ish-kryeministrit Viktor Ponta./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!