Qeveria rumune nuk ia ka dalë të shkarkojë kryeprokuroren e drejtorisë së anti-korrupsionit. Apeli drejtuar presidentit, me argumentin se hetuesja kishte tejkaluar kompetencat është hedhur poshtë.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis hodhi poshtë të hënën kërkesën e ministrit të Drejtësisë për të shkarkuar prokuroren e njësisë anti-korrupsion, Laura Codruta Kovesi. Në reagimin e tij, kreu i shtetit deklaroi se argumentet e cituara nga ministri për shkarkimin e hetueses nuk ishin bindëse. Ministri i Drejtësisë, Tudorel Toader kërkoi largimin nga detyra të Kovesit ditën e premte, duke e akuzuar se kishte tejkaluar kompetencat e saj dhe se kishte dëmtuar imazhin e vendit. Por presidenti, pas shqyrtimit që këshilltarët e tij i bënë kërkesës së qeverisë, nuk ra dakord me këtë sugjerim. “Argumentet për shkarkimin e saj nuk më bindën”, tha Iohannis. Laura Codruta Kovesi njihet si prokurorja që i ka vënë shkopin ndër rrota aferave korruptive të politikës rumune. Në vitin 2006, kur ishte 33 vjeç ajo u emërua prokurore e përgjithshme duke u bërë gruaja e parë që caktohej në këtë post.
Por do të ishte 7 vjet më vonë koha kur ajo do të linte gjurmët e saj në historinë e drejtësisë rumune, kur mori drejtimin e Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion, një institucion i krijuar posaçërisht për të luftuar abuzimet në nivelet e larta.
Që atëherë ajo ka drejtuar çështje korrupsioni që kanë përfshirë figurat kyçe të politikës rumune, nga të gjitha partitë. Mes tyre spikasin ish-ministrja Elena Udrea, kryetari i Bashkisë së Bukureshtit Sorin Oprescu, vëllai i ish-presidentit Traian Basescu, që u arrestua teksa kreu i shtetit ishte ende në detyrë, si dhe padia ndaj kryeministrit të atëhershëm, Viktor Ponta. /abcnews.al