Edhe pse përflitej se do ishte pjesë e partisë Bindja Demokratike, Rudina Hajdari u distancua nga ky qëndrim. Koordinatori i partisë më të re në vend, Astrit Patozi, ishte i ftuar në “Mbrëmje Abc” ku deklaroi se vlerëson gjestet e kryetares së grupit parlamentar demokrat.
Ai theksoi se ka biseduar me Hajdarin dhe kanë qenë dakord që Shqipëria ka nevojë për një projekt të ri politik.
Mirela Milori: Zonja Hajdari u përfol sikur do ishte në këtë parti, më vonë është distancuar. Cili është pozicioni i zonjë Hajdari në lidhje me Bindjen Demokratike?
Astrit Patozi: Tani e thatë vetë dhe unë nuk kam ça shtoj. Thatë u përfol që do të thotë folën të tjerët, jo të zotët e punës. Njerëzit deshën që ta bëjnë ashtu. E thanë, ne nuk u ndiem. Unë e kam thënë që kam respekt dhe vlerësim të lartë për zonjë Hajdari jo vetëm që është vajza e mitit të PD-së dhe mikut tim personal, por kam përshëndetur gjestet e saj që më duken të drejta. Jemi takuar bashkë, kemi diskutuar dhe për këtë projekt të ri politik. Ajo është e mirëpritur çdo ditë që nga sot deri kur ta mendojë tek ky projekt sepse nuk është projekti im, por i shumë njerëzve. Është në të drejtën e saj sepse njeriut i duhet lënë koha për të gjetur dhe ai momentin e vet.
Mirela Milori: Pra keni bërë një ofertë të hapur?
Astrit Patozi: Unë kam bërë ofertë të hapur dhe kam dëgjuar idetë e saj. Ne të dy kemi qenë dakord që Shqipëria ka nevojë për një gjë të re politike, për një shkundje të sistemit, për ndryshimin e sistemit. Ne jemi në një periudhë të errët të demokracisë. Ne donim që në këtë çmenduri politike të ishim një shkëndijë që të thonim që ka edhe një arsye në këtë mes./abcnews.al