Nuk humbën kohë demokratët që hoqën dorë nga Partia Demokratike.
Hyrjen në zgjedhjet e 30 Qershorit Rudina Hajdari e njoftoi në seancën e fundit parlamentare dhe këtë të shtunë merr vendimin për të krijuar partinë e re e cila do të quhet “Bindja Demokratike”.
Në mbledhjen që zhvilloi me grupin e deputetëve demokratëve, Rudina Hajdari ndeshi kundërshtimin e Myslim Murrizit dhe Alban Zenelit të cilët kanë shprehur shqetësimin jo vetëm për kohën e pamjaftueshme por edhe se në të ardhmen mund të jenë thjesht plotësim i tepsisë së mazhorancës qeverisëse.
Është Deputetja Hajdari që i ka bindur se janë në rrugën e duhur pasi mbështetje kanë ndërkombëtarët.
Pjesë e Partisë Bindja Demokratike do të jetë edhe ai që e ka mbështetur vazhdimisht në deklaratat e saj, demokrati tjetër i tërhequr, Astrit Patozi.
Afati i fundit për tu regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është dita e martë. Me mirëkuptimin e këtij institucioni, regjistrimin në Gjykatë Partia “Bindja Demokratike” do ta bëjë një ditë më pas, të mërkurën.
Mbetet për tu parë në vazhdim se cila do të jetë platforma dhe kandidatët e kësaj partie për zgjedhjet vendore të 30 qershorit./abcnews.al