Deputetja Rudina Hajdari, është shëruar nga koronavirusi.
Lajmin e bëri të ditur vetë deputetja Hajdari në rrjetin social “Facebook”.
Teksa ka falënderuar mjekun infeksionist Pëllumb Pipero, ajo shkruan se pas një periudhe të gjatë izolimi do t’i rikthehet aktivitetit normal.
Statusi:
Doktor Pipero me dha sot lajmin e mirë se e kam mposhtur Covid19. Testi me doli negativ dhe më në fund mbas një periudhe të gjatë izolimi, do t’i rikthehem aktivitetit normal.
Kemi shumë për të bërë të gjithë së bashku për të fituar mbi sëmundjen 30 vjeçare që ka kapur vendin.
Kujdesuni ju lutem për shëndetin dhe familjen sepse ky nuk është një virus i lehtë!
Gjithashtu Hajdari ka publikuar edhe një video-mesazh të shkurtër ku edhe bën apel që të respektohen masat për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Koronavirusi është një problem që i kapërcen ndasitë e politikës. Jam shumë dakord se çdo kritikë kundrejt qeverisë duket sikur është për të fituar pikë. Por ky video-mesazh nuk është kritikë, por një lexim i situatës. E vërteta është se ne nuk jemi të përgatitur për një pandemi si kjo.
Nëse ky virus përhapet më gjerë ne nuk kemi kapacitete në spitale për ta përballuar këtë situatë. Megjithëse me një ekonomi të vogël, mund ta kapërcejmë këtë problem serioz dhe patjetër duhet t’i bëjmë ballë. Ne nuk do të kemi askënd të na ndihmojë në momentin që kjo situatë del jashtë kontrollit, ndaj edhe masat janë kaq të rrepta.
Përhapja panikut nuk ndihmon, por duhet të sensibilizohemi dhe të ndjekim udhëzimet. Në mesin e kësaj situate të rëndë të gjithë janë në rrezik. Falënderoj të gjithë këta njerëz që po rrezikojnë jetën e tyre dhe po bëjnë të pamundur që të shpëtojnë shoqërinë tonë”, tha më tej Hajdari.
/abcnews.al/