Në takimin e përvitshëm me gazetarët organizuar në fillim të sesionit të ri parlamentar, kreu i kuvendit Gramoz Ruçi identifikoi mungesën e vullnetit politik si pengesën kryesore të përmbushjes së detyrimeve të ligjvënësit.
Tre janë prioritetet e Kuvendit për këtë vit, të artikuluara nga kreu i ligjvënësit Gramoz Ruçi në takimin e përvitshëm me gazetarët në nisje të sesionit të ri parlamentar.
“Së pari ky sesion, duhet dhe do të jetë sesioni i çeljes së negociatave. Kuvendi për realizimin e këtij objektivi do të realizojë të gjitha objektivat për integrimin europian dhe të nxisë e kontrollojë qeverinë, të përmbushë detyrat për çeljen e negociatave në Qershor të këtij viti. Së dyti ky do të jetë zhvillimi i sesionit të zgjedhjeve të lira e të ndershme më 30 Qershor. Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë për votimin e reformës zgjedhore dhe garantimin e standardeve në zgjedhjet vendore. Së treti ky do të jetë sesioni i kompletimit të organeve të sistemit të drejtësisë. Kuvendi do të krijojë të gjitha kushtet dhe do të marrë të gjitha masat për ngritjen në kohë të Gjykatës Kushtetuese, të SPAK, të Byrosë së Hetimit, dhe të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë”.
Sa i përket atij që lamë pas, dështimi më i madh është padyshim ai i reformës zgjedhore, të cilin në fjalim kreu i Kuvendit ia atribuon opozitës.
“Për shkak të mungesës nuk u votua reforma zgjedhore”.
Por Gramoz Ruçi, thirrjes së kreut të grupit parlamentar socialist drejtuar opozitës për të votuar draftin e njëanshëm të reformës zgjedhore të propozuar nga mazhoranca, nuk i bën eko. Përkundrazi thekson se drafti duhet votuar fillimisht në komisionin e reformës zgjedhore, si e kërkon edhe procedura parlamentare.
“Unë nuk e kam përcjell këtë draft as në programin dhe as në kalendarin e Kuvendit. Drafti është aty që ta sjellë komisioni Ad Hoc për reformën zgjedhore. Siç kam bërë apel gjatë apelit të kaluar, përsëri apeloj që mazhoranca dhe opozita në komisionin Ad Hoc të dialogojnë, të delegojnë, të depozitojnë në Kuvend dhe vetëm atëherë unë do ta përfshij si kryetar i Kuvendit, në kryesinë e Kuvendit dhe në kalendarin e punimeve të veta. Dua të them që vetëm mungesa e vullnetit politik ka bë rë që ky objektiv shumë i rëndësishëm nuk është realizuar”.
Është po kjo mungesë vullneti, për kreun e Kuvendit, ajo që ka zvarritur edhe reagimin e nevojshëm të Këshillit të Legjislacionit për amendimin e neneve të ligjit të reformës në drejtësi, atë për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë,të shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese./abcnews.al