Çdo ditë pasi kthehet nga shkolla, Albiola merr gjilpërën dhe fijet për të qëndisur. Talentin e saj në punimet me dorë, një traditë e vjetër shqiptare që po humbet me kohën, 11-vjeçarja e zbuloi në shkollë.
“Kam mësuar të bej qëndisje te shkolla se aty është një ore e dedikuar pas mësimit, për art dhe zeje. Vendosa të hyj aty ta provoj. Mësuesja më ka ndihmuar shumë”, tha ajo.
Në fillim nuk e kishte të lehtë, por thotë se iu përkushtua dhe me kalimin e kohës këtë punë e ktheu në rutinën e saj të përditshme pas mësimit.
“Punoj çdo dite. Kam mëshuar shumë. Në shtëpi je vetëm ti që qëndis apo jo. Po. Gjyshja më thotë mirë që qëndis që të ka rënë më mendje, se gocat nuk merren shumë me këtë punë”
11-vjeçarja ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, të dhënë pas pajisjeve teknologjike e kalon kohën duke realizuar punime artizanale.
“Si është më mirë të qëndisësh apo të qëndrosh shumë orë në telefon? Të qëndis. Më pëlqen në kohën e lirë pasi mbaroj mësimet”.
Albiola ka zbuluar se qëndisja nuk është thjeshtë një pasion i momentit për të. Nuk thur vetëm fijet shumëgjyrëshe, por edhe ëndrrat që një ditë qëndisjen ta kthejë në profesion.
“Unë kam qejf që të hap edhe një studion time me punimet, por edhe veterinari, duke qenë se i dua kafshët. Si pret të jetë ajo studioja jote? E madhe”,
Teksa sheh punimet e para, tregon sesi edhe ka avancuar për të realizuar qëndisje më të bukura.
“Puna ime e parë është kjo, nuk është edhe aq mirë . Këto janë disa libra që mbi to qëndron macja. Kjo është puna ime e dytë. Kjo mund të vendoset edhe në mes të librave. Edhe këtë e kam bërë posaçërisht për ju me logon e Abc News, e kam bërë për tre ditë”
-Ke zgjedhur edhe ngjyrat e Abc News?
-Po blu dhe e bardhë
– Është dhuratë shumë e bukur. Faleminderit!
Albiola numëron disa punime, por më të veçanta konsideorn ato me gjergjef, një nga format më të rralla të qëndisjes.
“Kjo copa quhet gjergjef, është penj që gjendet në çdo lloj tregu. Duket si e vështirë, por është e lehtë. Ky punim zgjat më shumë se 4 ditë”, tha ajo.
Qëndisja është një nga traditat më të vjetra të grave shqiptare. Dikur në çdo krahinë vajzat mësonin që në moshë të vogël punimet me dorë.
Kjo traditë thuajse u harrua pas viteve ’90, ku stili i jetesës ndryshoi. Mësimi i qëndisjes apo punëve të tjera artizanale tek fëmijët, si Albiola është mënyra më e mirë që ky art të mos zhduket.

