Rrugëtimi i Ramës dhe Bashës brenda partisë, larguan themeluesit, Bushati: S’ka demokraci

schedule21:09 - 15 Qershor, 2021

schedule 21:09 - 15 Qershor, 2021

Emisioni VETTING

Partia Socialiste dhe Partia demokratike e kanë qeverisur vendin 30 vitet e fundit. Zhvillimet politike brenda këtyre partive kanë qenë përcaktuese të nivelit të demokracisë në Shqipëri. Në historinë e këtyre tri dekadave do të shohim trashëgiminë nga e shkuara komuniste dhe përpjekjet e dështuara për votën e  lirë brenda dy partive. Se si ka avancuar demokracia e brendshme në këto dy parti do ta shohim përmes analizës së proceseve zgjedhore në kongreset e PS-së dhe kuvendet kombëtare të PD-së.

Lexo edhe: “Demokracia” që na vjen prej diktaturës

Më 23-24 prill 2005  do të mbahej Kuvendi i Tetë i Partisë Demokratike kur Berisha u rizgjodh kryetar pa konkurrentë, pasi PD mendonte se do të ishte vetëm një formalitet i panevojshëm  vendosja e çdo figure tjetër përballë liderit historik të kësaj partie. PD i fitoi zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe për tetë vite në pushtet nuk pati zhvillime shumë të rëndësishme Brenda saj. Zhvillimet do të përqendroheshin në kampin tjetër, tek socialistët. Pas humbjes në zgjedhjet e 3 korrikut Fatos Nano dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PS. Më 9 tetor 2005, u zhvillua kongresi zgjedhor i socialistëve ku kandidonte Edi Rama përballë ish-presidenti Rexhep Meidani. Rama e humbi betejën qysh ditën e  parë të kongresit, pasi rreth 600 delegatët e kongresit socialist e rrëzuan platformën e tij.

Lexo edhe: Orët kur Edi Rama ishte pjesë e PD-së: Sa hyra u largova menjëherë

Por sic thotë Rama, hija e Gramoz Ruçit pas tij, do ta shpëtonte pasi Ruçi i dha emrin e tij platformës dhe Rama u rikonfirmua në garë të cilën e fitoi ditën tjetër nën kujdesin e  Gramoz Ruçit. Rama mori 297 vota, ndërsa Rexhep Meidanit 151 vota. Legalizimi i fraksioneve në PS ishte pika e pandryshueshme e të gjitha propozimeve të Ramës në PS por pas zgjedhjes në krye të partisë, Rama e zhduku nga statuti pikën për legalizimin e fraksioneve. Sipas parimit “një anëtar, një votë”, Edi Rama u rizgjodh në krye të partisë më 12 maj 2007. Përballë pati kandidatin formal Shkëlqim Meta. Një grup zyrtarësh të kësaj partie kontestuan procesin duke e cilësuar të parregullt. Megjithatë Edi Rama u zgjodh kryetar me 97% të votave. PS me koalicionin e saj i humbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe mbeti në opozitë.

Rama u përball me presionin e kundërshtarëve të tij në parti, për të dhënë dorëheqje pasi kishte humbur zgjedhjet. Pavarësisht presioneve nga kundërshtarët, Edi Rama shpalli rikandidimin. Arben Malaj dhe Maqo Lakrori ishin sfidantët e tij në këtë garë. Arben Malaj deklaroi tërheqjen nga gara, pak orë pasi e shpalli kandidimin, duke pretenduar se procesi ishte cenuar qysh në nisje. Ndërsa Blushi deklaroi arsyet pse nuk hyri në këtë garë. Rama e Lakrori zhvilluan bashkë fushatën elektorale brenda partisë dhe në fund të garës Edi Rama u rizgjodh kryetar me 93% të votave, përkundrejt 6,5% që fitoi rivali i tij Maqo Lakrori.

Më 23 qershor 2013 Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet parlamentare. Zhvillimet do të transferoheshin në kampin tjetër ku për shkak të humbjes, Sali erisha kishte dhënë dorëheqje. Kështu nisi gara për kryetarin e PD-së. Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi u shpallën kandidatë dhe anëtarët e PD-së votuan sipas parimit” një anëtar një votë”. Në fund të procesit, Lulzim Basha u shpall fitues me 33 220 votues, ose 80.39% të votave, përkundrejt Sokol Olldashit me 8060 votues, ose 19.61% të votave. Olldashi deklaroi parregullsitë e procesit.

Në mars të vitit 2016 u mblodh kongresi i socialistëve. Do të duhej të ishte proces votimi për zgjedhjen e kryetarit të partisë por Rama propozoi vetëm votëbesim, duke argumentuar se partia që drejton kishte fituar zgjedhjet. Kundërshtari i tij në parti, Ben Blushi i mbështetur nga pak deputetë socialistë kërkoi zgjedhje për kryetarin e partisë duke akuzuar ashpër Edi Ramën për uzurpim të partisë. Ashtu sic donte kryetari, nuk pati një proces zgjedhor ndërsa Ben Blushi deklaroi largimin  nga kjo parti për të krijuar lëvizjen “LIBRA”. Lulzim Basha udhëhoqi Partinë Demokratike në opozitë një proces të quajtur reformimi. Gjatë katër viteve ai largoi nga strukturat drejtuese të partisë, shumicën e anëtarëve të forumeve më të larta drejtuese. La jashtë listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ish-drejtues si Arben Imami, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu e të tjerë. Ata e akuzuan Bashën për uzurpim të partisë.

PD i humbi zgjedhjet dhe menjëherë pas procesit, Lulzim Basha e refuzoi dorëheqjen dhe shpalli “ngrirjen” si kryetar i partisë bashkë me fushatën për zgjedhjet e reja. Në garë përballë Bashës hyri, ish-kryetari  demokrat Eduard Selami. Në fund të procesit, Basha fitoi 53931 të votave përkundrejt sfidantit të tij Eduard Selami që mori 5136 vota. Në fund të katër viteve të tjera në opozitë, mbushur me skandale të qeverisë së rilindjes, pritej që Basha të udhëhiqte PD-në drejt fitores. Por në fakt më 26 prill të këtij viti, PD u rikonfirmua në opozitë dhe pritej që Basha kësaj here të jepte dorëheqje. Por nuk ndodhi.

Basha doli para mediave dhe deklaroi se mazhoranca kishte blerë votat. Pa pritur korrikun, kohën kur zhvillohen zgjedhjet në PD, Basha shpalli fushatën dhe konfirmoi rikandidimin. Përballë tij dolën tre sfidantë, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj. Nuk pati surpriza. Lulzim Basha u rikonfirmua në krye të PD-së me 81% të votave të anëtarësisë së PD. sfidanti i tij në këtë garë Agron Shehaj mori 15% të votave, pjesa e mbetur i përket dy kandidatëve të tjerë Fabardh Kadilli dhe Edit Harxhi. U quajt një garë e pabarabartë. Kandidatët deklaruan parregullsi në procesin zgjedhor, si në zgjedhjet e vitit 2013 dhe të vitit 2017.

“Edhe zgjedhjet e fundit në PD ishin konfirmim i së njëjtës traditë të mungesës së demokracive të brendshme në parti, jo vetëm për faktin e rizgjedhjes së zotit Basha, por edhe faktit si u konceptua gara, urgjente pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, pa kohë për kandidatët, pa kushte për garim për kundërkandidatët e Bashës, edhe sfondi edhe thelbi flisnin për një garë ku demokracia reale mungon” u shpreh Andi Bushati.

Në partinë socialiste dhe partinë demokratike nuk është më asnjë themelues. Nuk janë larguar për shkak të moshës por janë përjashtuar për shkak të mungesës së demokracisë. E tillë është historia e demokracisë brenda partive që na qeverisin në 30 vjet. Nëse këto parti nuk kanë mundur kurrë të bëjnë garë reale brenda tyre, është kaq e pamundur të kërkojmë prej tyre që të zhvillojnë procese zgjedhore demokratike. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!