“Rruga Qukës- Qafë Plloçë, nga 73 milionë euro, shkoi 225 milionë”, Berisha: Skemë vjedhjeje nga qeveria

schedule12:13 - 12 Gusht, 2022

schedule 12:13 - 12 Gusht, 2022

Në konferencën e përjavshme me gazetarët ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza se është krijuar një skemë për të vjedhur taksat e qytetarëve gjatë ndërtimit të aksit Qukës-Qafë Plloçë.

Ai u shpreh se ndërtimi i këtij aksi ka kaluar çdo pritshmëri, ndërsa shton se është mekanizëm i qeverisë i krijuar me qëllim për të vjedhur paratë e taksapaguesve. Ish-kryeministri shtoi se drejtësia nuk do t’i harrojë këto krime ekonomike.

Berisha: Ndërtimi i rrugës Qukës- Qafë Plloçë ka tejkaluar çdo afat kohor të ndërtimit të rrugëve në historinë e vendit. 43 km rrugë vazhdojnë prej 13 vitesh.  Rruga që duhet të përfundonte në 2014 vazhdon edhe në 2022 dhe shanse nuk ka të përfundojë as këtë vit.

Nga 73 milion euro që ishte fondi me të cilin u prokurua, deri sot, janë shpenzuar për ndërtimin e saj 225 milion euro. Një rrugë që kalon në një territor jo të vështirë, të pjerrët por jo të vështirë, pa vepra madhore arti, tunele apo ura të gjata, është trefishuar çmimi. Zhvillimi i fundit në këtë rrugë është ky. Në Trebinë lotët që ndërtoheshin në drejtim të njëri-tjetrit na dalin me një disnivel 17 metër.

Kjo ndodh vetëm me qëllim sepse nuk mund të ndodhë për faj të kompanive. Rruga nuk projektohet nga kompanitë që e ndërtojnë, por kompanitë e projektimit. Projekti shqyrtohet në çdo detaj. Ky është një disnivel i krijuar me qëllim që të plaçkiten taksapaguesit shqiptarë. 10 ditë më parë Edi Rama njoftoi se janë marrë 50 milion euro të tjera borxh për vazhdimin e kësaj rruge. Këto janë mekanizma për të vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ai theksoi se drejtësia mund të vonojë, por nuk do t’i harrojë këto krime ekonomike.