Rruga jashtë funksionit, fermerët humbasin prodhimet

schedule15:26 - 5 Shkurt, 2019

schedule 15:26 - 5 Shkurt, 2019

Fermerët në Zvirinë në Korçë nuk kanë mundur t’i shesin prodhimet e tyre dhe pse ata po vazhdojnë të mbjellin. Një nga shkaqet kryesore të falimentimit të tyre është gjendja e rrugës që lidh zonën me rrugën nacionale.

Fermerët e fshatit Zvirinë po bëjnë gati tokat për mbjelljet e reja edhe pse një pjesë e prodhimit u ka mbetur stok. Arsyeve të shumta për mos shitjen e produkteve, fermerët i shtojnë edhe gjendjen e rrugës. Segmenti prej më pak se dy kilometrash që lidh fshatin me rrugën nacionale Korçë-Pogradec është i degraduar në të gjithë gjatësinë e tij.

Dimri i ashpër i ka bërë më të thella gropat, kurse ngricat kanë dëmtuar plotësisht shtresat e asfaltit të mbetur. Rruga e prishur e bën të vështirë nxjerrjen e prodhimeve në treg, por edhe largon tregtarët e shumicës, të cilët vijnë gjithmonë e më rrallë në Zvirinë.

“Rruga është kryesorja. Të tërë që vijnë kthehen aty nga rruga. Tërë tregtarët ikin në Devoll”.

“Tregtarët na thonë na i nxirrni produktet te xhadeja se është rruga copë-copë”.

“I shkatërruan mjetet. Dhe me traktor nuk ikim dot”.

“Kryetari i bashkisë kur erdhi tha që fshati juaj është te “100 fshatrat”, por tha edhe këtë fjalë, kur t’iu bjerë radha. Domethënë na i hoqi shpresat fare ai ne.”

Banorët e fshatit me mbi 1.500 banorë janë munduar t’i mbushin vetë gropat, ndërsa presin Bashkinë e Maliqit të investojë për riparimin e rrugës, e cila po i penalizon prej vitesh.

“As traktorët nuk lëvizin dot, pa lëre pastaj makinat dhe nxjerrja e mallit që është një problem. Na detyrojnë tregtarët që produktet t’i nxjerrim nga rruga kryesore”, tha Berti Qeleshi, kryetar i fshatit Zvirinë.

Infrastruktura e dëmtuar si në rrugët kryesore ashtu edhe rrugët lidhëse midis parcelave mbetet shqetësim për fermerët e fushës së Korçës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!