Më 31 dhjetor të vitit që lamë pas, Kina lajmëroi Organizatën Botërore të Shëndetit për disa raste të pazakonta pneumonie që po ndodhnin në Wuhan, një qytet ku jetojnë 11 milionë banorë. Virusi ishte i panjohur deri më atëhere.
Ndërkohë që ekspertët e shëndetit punonin për të identifikuar virusin, numri i personave të infektuar shtohej në mënyrë shqetësuese. Më 7 janar, OBSH konfirmoi se virusi tashmë ishte identifikuar. Bëhej fjalë për një virus të ri të quajtur 2019-nCoV, pjesë e familjes “korona”, kur përfshihet edhe SARS si dhe ftohja e zakonshme.
Që nga dita kur u regjistrua rasti i parë në Kinë e deri tre ditë më parë vendi ynë nuk kishte asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me koronavirus.
“Heshtja” u thye më 9 mars kur ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vendin tonë ishin regjistruar dy rastet e para me virusin që deri më tani ka infektuar 121,175 persona në të gjithë botën.
Bëhej fjalë për babë e bir, banues në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.
Abc News zbuloi më tej se të prekurit ishin V.K 54 vjeç, dhe djali i tij P.K 28 vjeç. Ky i fundit kishte udhëtuar nga Firence në Tiranë dhe kishte hyrë në Shqipëri më datë 26 shkurt nga pika e Muriqanit.
Në një nga njoftimet e saj, Ministria e Shëndetësisë sqaronte se pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 atyre u janë marrë mostrat, dhe më pas u vërtetua se ishin pozitivë ndaj virusit.
Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes urgjente të qeverisë më 9 mars, kryeministri Rama bëri thirrje për vetëpërmbajtje “në këtë situatë të re, për të cilën tashmë duhet të përballet edhe Shqipëria.”
Ndër të tjera, ajo që u tha nga Ministria e Shëndetësisë në konferencën e mbajtur në prani të mediave ishte fakti se djali 28-vjeçar ishte “pacienti zero” dhe se për momentin nuk kishte transmetim komunitar. Por në ngjarjet që do të vijonin më vonë rezultoi se nuk kishim vetëm një “pacient zero” por disa të tillë.
“Pacienti zero” është një term i shumëpërdorur mjekësor që i referohet personit të parë që infektohet në rast të një epidemie. Pacienti zero mund të jetë gjithashtu një metaforë që përdoret për të treguar disa veprime fillestare të cilat ndiqen nga pasoja të konsiderueshme.
Duke ndjekur këtë logjikë, personat që do të rezultonin të infektuar në vazhdim duhej të kishin historik kontakti me “pacientin zero” apo me personat e infektuar prej tij.
Mbrëmjen e së hënës u njoftua se ishin identifikuar katër raste të tjera me koronavirus në vendin tonë. Minsitria e Shëndetësisë njoftonte se tre prej tyre ishin anëtarë të familjes së “pacientit zero”, ndërsa rasti tjetër i konfirmuar sihte një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që kishte pasur histori udhëtimi në Milano 6 ditë para se të rezultante pozitiv dhe ishte kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj.
Në këtë rast na rezulton një tjetër “pacient zero” i cili nuk ka pasur fare kontakt me babë e bir, të cilët ishin dhe rastet e para.
Në ditën që pasoi, më 10 mars, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rrakacolli konfirmoi përmes një konference për shtyp se ishin zbuluar katër raste të reja.
Zonja Rrakacolli u shpreh:
“ISHP ka kryer 114 teste, nga të cilat 10 kanë rezultuar pozitive. Gjashtë nga personat që kanë dalë pozitivë janë kontakte të dy personave të parë (babë e bir), ndërsa një rast është një i ri i kthyer nga Italia dhe një tjetër gjendet i shtruar në spitalin e Durrësit.”
Personi i shtruar në spitalin e Durrësit ishte një 73-vjeçare e cila është paraqitur disa herë në spital për shkak të problemeve shëndetësore por e kishin rikthyer në shtëpi. Vetëm katër ditë më parë, ajo ishtë ndjerë më keq duke u paraqitur sërish në spital. Gruaja dhe familjarët i kanë thënë mjekëve se kishte probleme me frymëmarrjen dhe ata e kanë shtruar me dy pacientë të tjerë në dhomë.
Gjatë kësaj periudhe, në dhomë kanë hyrë dhe dalë familjarë të saj dhe të dy pacientëve të tjerë duke rritur kështu ndjeshëm rrezikun se mund të jenë infektuar edhe të tjerë. Po ashtu, ekziston frika se nga gruaja janë infektuar edhe pjestarë të stafit mjekësor të spitalit. Për këtë arsye, drejtoria ka urdhëruar dërgimin e disave prej tyre në shtëpi. Gazetari Leonidha Musaj raportoi për abcneës.al se fillimisht gruaja është paraqitur tek Sanatoriumi në Tiranë rreth dy javë më parë me shqetësime shëndetësore kronike. Aty ka marrë përgjigjen se nuk mund ta trajtojnë. Më pas, gruaja është nisur për në Itali ku sërish nuk ka gjetur shërim. Pas kthimit ajo i është drejtuar spitalit të Durrësit ku edhe dyshohet se ka infektuar mjaft të tjerë
Për fat të keq, e moshuara ndërroi jetë pasditen e së mërkurrës duke u bërë kështu edhe jeta e parë që koronavirusi merr në Shqipëri.
Ndërsa, ditën e sotme më 11 mars u konfirmua se numri i personave me koronavirus në vendin tonë shkoi në 12. Rezulton se prej tyre është i afërm me 28-vjeçarin që është cilësuar si “pacienti zero” dhe një person tjetër i moshuar i cili ka qene në Itali. Bëhet fjalë për një 75-vjeçar nga qyteti i Lushnjës.
Pra, nëse e marrim situatën në tërësi kemi katër raste të diferencuar nga njëri-tjetri, 4 vatra të përhapjes së infeksionit: babë e bir që e sollën virusin nga Italia dhe infektuan 7 anëtarë të familjes së tyre nga Puka, një 31-vjeçar nga Tirana që e mori virusin gjatë kohës që ndodhej në Milano, e moshuara nga Durrësi që ndërroi jetë së fundmi pasi ishte kthyer nga Italia dhe 75-vjeçari nga qyteti i Lushnjës.
Dy rastet e para të komunikuara, djali kishtë hyrë në Shqipëri në rrugë tokësore në 26 shkurt nga pika e Muriqanit. Siç raportoi gazetari Simon Shkreli për Abc News, ai kishte qënë i vetëm në automietin e tij privat dhe nuk ka kaluar në zinxhirin e kontrolleve.
I riu udhëtonte nga Firence në Shqipëri dhe nuk u vlerësua si rast nga mjekët që të intervistohej apo t’i matej temperatura. Kjo është pohuar dhe nga shefja e epidemiologjisë pranë Drejtorisë së Shëndetit publik të Shkodrës.
Ajo u shpreh:
“Nuk kam asnjë deklaratë për personin e konfirmuar me Koronavirus. Nuk është kontrolluar”.
Si duket, mungesa e seriozitetit për masat e kontrollit ka bërë që në vendin tonë të kalojnë pa u vënë re raste të ndryshme dhe për rrjedhoje numri pritet të rritet akoma më shumë. Mungesë serioziteti është treguar edhe në rastin e të moshuarës në Durrës, e cila ka pasur pacientë të tjerë në dhomë dhe ka pasur mundësinë që të infektojë mjekë të spitalit e më shumë mundësi edhe të afërm të saj.
Se nuk kemi vetëm një “pacient zero” e ka konfirmuar edhe mjeku Pëllumb Pipero i ftuar në “Mbrëmje në Abc”, dhe sipas tij kjo “është eksperienca më e keqe që mund të na vijë.” Sipas tij, çdo person i infektuar mund të infektojë deri në 3 persona të tjerë dhe kjo vazhdon zinxhir.
Duke marrë parasysh 4 “vatrat” në vendin tonë, pritshmëritë për ditët që do të vijojnë mbeten shqetësuese.