E ftuar në Mbrëmje në ABC News, deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ka folur rreth situatës së krijuar pas protestës për tarifën për Rrugën e Kombit.
E pyetur nëse duhej sqaruar më mirë qytetarët e Kukësit, Ekonomi tha se fakti që do vihej tarifa, dihej, por sipas saj, duhet të kishte një rol më informues media.
“Këta njerëz informacionin e kishin atje. Informacionin nuk e bën vetëm qeveria. Faktin që do vihej tarifa, kjo dihej. Edhe media duhet të kishte marrë një rol më informues në lidhje me këtë gjë”, tha ajo.
Më tej, ajo shtoi se tarifa prej 5 euro nuk do të negociohet në vitin e parë pasi ky është kusht kontraktual.
“Për vitin e parë nuk negociohet. Për vitin e dytë është kusht në kontratë që mund të negociohet”, u shpreh Ekonomi.
Ndër të tjera , Ekonomi tha se po negociohet që për qytetarët e Kukësit të ketë abone, duke qenë se janë përdorues të shpeshtë të Rrugës së Kombit./abcnews.al