“Rrogozhina na dha një mesazh”, Veliaj: Diferenca në Tiranë, e jashtëzakonshme

schedule20:03 - 15 Maj, 2023

schedule 20:03 - 15 Maj, 2023

Kandidati socialist në Rrogozhinë, Edison Memolla u shpall fitues me vetëm 23 vota diferencë nga kundërshtari Shkëlqim Hoxha, kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se Rrogozhina dha një mesazh që duhet bërë më shumë.

Në një dalje për mediat, Veliaj u shpreh: “Përfundoi me një fitore me 23 vota, të cilat do të na japin të drejtë të festojmë por jo që të jemi euforik. Ne po e lexojmë shumë qartë mesazhin e Rrogozhinës, me 23 vota është të jesh barazim. Kështu që nuk duam të jemi arrogant, mendjemëdhenj por mesazhi që na dha është që të jemi me këmbë në tokë dhe edhe pse jemi votuar me 50 përqind, duhet t’u shërbejmë 100 përqind qytetarëve. Dua t’i falenderoj me zemër edhe ata që nuk na votuan sepse na dhanë një mesazh që ka ende tensione dhe diferenca mes popullsisë qytetare dhe urbane dhe duhet t’i adresojmë.”

Një koment pati edhe për rezultatin e deritanishëm në Tiranë, ku është rreth 47 mijë vota në avantazh. “Qarku i Tiranës ka prodhuar për PS mbi 200 mijë vota. Diferenca në Tiranë është e jashtëzakonshme, jam i përulur nga kjo por duhet të presim derisa të numërohet vota e fundit.”

Ndërsa Edisoni që fitoi në Rrogozhinë tha: “Pavarësisht se fituam, mesazhin e kemi marrë që të ulim kokën dhe të punojmë më fort. Pas 4 vitesh do të kemi zgjedhje të reja, dhe do t’u tregojmë edhe atyre që nuk na votuan që i shërbejmë të gjithë komunitetit të Rrogozhinës pavarësissht rezultatit.”/abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!