Rrjedhje gazi në shkollë, nën hetim dy persona: Lejuan ngrohjen me kaldajë pa miratimin e ISHTI-t

schedule10:06 - 21 Janar, 2021

schedule 10:06 - 21 Janar, 2021

Borsjan Spaho, drejtori i shkollës 9-vjeçare në Tiranë ku një ditë më parë pati rrjedhje gazi dhe inxhinieri Eljon Dedja, janë referuar në Prokurori për veprat penale shpërdorim detyre dhe shkelje e rregullave për lëndët djegëse plasëse dhe radioaktive. Sipas policisë ata kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. S., 34 vjeç dhe E. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, në ambientet e një shkolle jopublike, këta shtetas kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial dhe si rrjedhojë e rrjedhjes së gazit nga depozita e gazit të sistemin të ngrohjes, 6 nxënës të kësaj shkolle kanë patur probleme shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Në përfundim të ekspertizës sipas grupit hetimor rezultoi se shkolla ka 2 depozita të cilat shërbejnë në sistemin e ngrohjes. Njëra prej tyre kishte pasur rrjedhje për shkak të tejmbushjes.

Si pasojë e rrjedhjes së gazit u evakuuan të gjithë nxënësit ndërsa 6 prej tyre përfunduan në spital. Një prej vajzave tha për ABC se e kishin ndjerë rrjedhjen e gazit që në orën e parë të mësimit por e kanë vijuar atë me dritare hapur pastaj kur gjendja është përkeqësuar iu është kërkuar të dalin jashtë për të pirë kafe./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!