Rrjedhja e të dhënave për 637 mijë shqiptarë, prokuroria sekuestron serverët e AKSHI-t

schedule17:49 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 17:49 - 23 Dhjetor, 2021

Prokuroria ka sekuestruar serverët e AKSHI-t, Institutit të Sigurimeve Shëndetësore dhe ato të Drejtorisë së Tatimeve. Grupi hetimor është dërguar për të kryer veprime në këto institucione pas skandalit të djeshëm të publikimit të listës së pagave për 637 mijë qytetarë shqiptarë.

Krahas listës së pagave të muajit janar të këtij viti, ditën e sotme është thelluar skandali pasi ka dalë në qarkullim edhe një databazë tjetër me 60 mijë emra më shumë me pagat e muajit prill. Veç kartës së identitetit, pagës dhe të dhënave të tjera në këtë “file” të publikuar janë edhe numrat e telefonit të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kjo është vepër e opozitës dhe se e di përse doli tani dhe se është gati që të shkojë të dëshmojë në prokurori nëse organi i akuzës është gati që të marrë versionin e tij. Sipas asaj që deklaroi kreu i qeverisë, gjasat janë më shumë që eksportimi të jetë bërë nga një person i brendshëm, sesa të bëhet fjalë për hack-im të jashtëm.

Kurse, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, në reagimin e saj siguroi qytetarët se sistemi i mbajtjes së të dhënave personale në e-Albania është i sigurt.

Ajo theksoi se platforma aktualisht mirëmbahet nga Microsoft dhe së shpejti do të futet dhe teknologjia “Blockchain”. Kjo shtoi ajo, do të sigurojë dhe lënien gjurmë të personave që mund të aksesojnë të dhënat personale përmes ndërveprimit të brendshëm. /abcnews.al/