Rritje e buxhetit të arsimit, ministrja: 5% është e parealizueshme në këtë fazë

schedule19:54 - 23 Janar, 2019

schedule 19:54 - 23 Janar, 2019

Pakti i Universitetit është dokumenti, të cilin qeveria e publikoi javën e kaluar në Tiranë ku synon që t’i japë zgjdihje kërkesave të studentëve. E ftuar në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini, u shpreh se rritja me 5 % të PBB-së për arsimin, është i parealizueshëm në këtë fazë në Shqipëri. Megjithatë ajo u shpreh se po punohet për krijimin e një plani afatgjatë që mund të çojë në rritjen serioze të arsimit.

“5% rritje është një kapërcim i madh dhe nuk e ka rritur asnjë vend në rajon. Eshtë thjesht e pamundur që të arrihet një rritje e tillë e buxhetit për arsimin sepse nuk është vetëm për arsimin e lartë. Jo vetëm për Shqipërinë, asnjë vend në rajon nuk e realizon në afat të shkurtër. Ajo që mund të bëjmë është të krijojmë një plan afatgjatë 10-vjeçar që të çojë në një rritje serioze dhe të mjaftueshme për arsimin e lartë. Për një periudhë të caktuar kohore do kemi një rritje të GDP për arsimin, por të themi 5% është e parealizueshme për gjithë rajonin. 5% për arsimin nuk mund të bëhet në këtë fazë. Vendet si Gjermania, Danimarka, Kanadaja që kanë një investim afër 5% të GDP-së në arsim, mënyra si taksojnë qytetarët është ndryshe nga se taksohet në Shqipëri. Atje taksohet rreth 40 % e punës së tyre, këtu taksohet 5 % e punës”, tha ministrja.

Shahini theksoi në ABC News se ka filluar që të investohet edhe në konvikte që nuk ishin planifikuar të investohej. Përsa i përket transparencës së univeristeteve kërkuara nga studentët, ministrja e re e Arsimit u shpreh se do krijohet një portal ku do të publikohen të gjitha shpenzimet e Bordeve të Administrimit, por edhe vendimet për bursat, vendimet e Senateve apo vendimet për exchange-t e studentëve jashtë vendit.

Ndërkohë ajo nënvizoi se përfaqësimi i studentëve në masën 50% në universitet nuk është hasur në asnjë model. Por pavarësisht kësaj, qeveria ka vendosur që studentët të përzgjedhin një prej përfaqësuesve të ministrisë në Bordin e Administrimit.

Përsa i përket kartës së studentit, ministrja e re e Arsimit shpreson të jetë gati vitin e ardhëshm akademik. Sipas saj, karta e studentit shqiptar do jetë e lidhur me kartën europiane të studentëve dhe do t’u japë lehtësira studentëve shqiptarë edhe në vendet e Europës.

Besa Shahini u sugjeroi njerëzve që ta lexojnë Paktin për Universitetin pasi sipas saj është pikënisja për dialogun që do të përmirësojë arsimin e lartë.

“Pakti është një dokument 30 faqësh. Mund ta gjeni kudo dhe i ftoj të gjithë ta lexojnë me kujdes dhe të dërgojnë sugjerimet e veta sepse është një pikënisje për diaog. Ta shfrytozojmë këtë moment që ta bëjmë një shtyrje për përmirësimin e arsimit të lartë”, tha ministrja./abcnews.al