I ftuar në emisionin “Balkan Update” në ABC News, kreu i odës ekonomike në Kosovës, Lulzim Rafuna tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, ka efekte anësore në ekonominë vendase, në prodhimin e brendshëm në Kosovës dhe tek eksportet.
Ai gjithashtu e cilësoi si të palogjikshme rritjen me 15% çmimin e energjisë e elektrike aq më tepër në stinën e pranverës, ku reshjet janë më të shpeshtë dhe në sasi më lartë, kurse konsumimi nga qytetarët është më i ulët.
“Rritja e çmimeve të energjisë elektrike ka shkaktuar një shqetësim shumë të madh tek qytetarët dhe bizneset pasi do të kemi çmime më të larta. Nuk ka logjikën e vet aq më tepër kur jemi në kohën e pranverës ku bie niveli i harxhimit të energjisë elektrike”, tha Lulzim Rafuna.
Ai shtoi se kanë bërë kërkesë për shfuqizimin e këtij vendimi, duke argumentuar se kjo është një kosto e shtuar për qytetarët, ndërkohë që bizneset nga ana tjetër janë të papërgatitur sa i takon tregut të hapur dhe kostove shtesë.
“Kemi shprehur qëndrimin dhe kemi thënë që për bizneset të shtyhet të paktën me një vit për shkak se nuk ka pasur një bisedë me to. Aq më tepër ata nuk janë të përgatitur për të dalë në tregun e hapur. Ato nuk e kanë mund sinë për të dalë në tregun e hapur dhe të rrezikojnë që të mbyllen. Çmimi i energjisë elektrike ka ndikim në ngritjen e çmimeve operative. Ne kemi kërkuar që të mos jetë për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë, kërkojmë që të vendoset një kufi dhe në përputhje me kërkesat e bizneseve”, përfundoi ai./abcnews.al