Rritja e tavanit të borxhit, Sekretarja amerikane e Thesarit paralajmëron SHBA-në: Merrni masa!

schedule09:11 - 16 Maj, 2023

schedule 09:11 - 16 Maj, 2023

SHBA mund të përballet me një nga problemet më të mëdha në 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje në Kongres për të rritur kufirin e huamarrjes së qeverisë federale, paralajmëroi Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, duke cituar të dhëna të përditësuara.

Sipas Yellen, çdo gjë që ajo tha ishte e vlefshme bazuar në “informacionet më të fundit që janë tashmë në dispozicion”, në letrën e saj drejtuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesit, republikanit Kevin McCarthy.

Ky i fundit pritet të takohet sot me liderë të tjerë të kongresit me presidentin demokrat Joe Biden në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e tavanit të borxhit.

Biden pritet të niset për në Japoni të mërkurën, ku do të marrë pjesë në samitin e G7 dhe më pas do të udhëtojë për në Australi. Udhëtimi i tij jashtë vendit pritet të zgjasë një javë.

Në letrën e saj të dytë drejtuar Kongresit brenda po kaq javësh, Yellen paralajmëroi përsëri se nëse kufiri i huamarrjes (31.4 trilion dollarë) nuk rritet, do të ketë një “krizë kushtetuese” dhe “katastrofë financiare” të mundshme për SHBA-në dhe shumë vende të tjera.

Zyra e Buxhetit të Kongresit paralajmëroi gjithashtu javën e kaluar se SHBA ishte në “rrezik serioz” të mospagimit brenda dy javëve të para të qershorit nëse nuk arrihet marrëveshje për të rritur kufirin e huamarrjes.

Sekretarja amerikane e Thesarit,  një ish-kryetare e bankës qendrore amerikane bëri thirrje që të ndërmerren veprime sa më shpejt të jetë e mundur në letrën e saj.

“Ne kemi mësuar nga krizat e kaluara të tavanit të borxhit se pritja deri në minutën e fundit për ta pezulluar ose rritur atë mund të dëmtojë besimin e biznesit dhe të konsumatorëve, të rrisë kostot e huamarrjes afatshkurtër për tatimpaguesit dhe të ketë një ndikim negativ në aftësinë kreditore të SHBA-së “, theksoi ajo. Ajo theksoi se tashmë janë rritur ndjeshëm kostot e huamarrjes për letrat me vlerë.

“Nëse Kongresi nuk e rrit kufirin e huamarrjes, kjo do të shkaktojë vështirësi serioze për familjet amerikane, do të dëmtojë udhëheqjen tonë globale dhe do të ngrejë pikëpyetje në lidhje me aftësinë tonë për të mbrojtur interesat tona të sigurisë kombëtare,” këmbënguli Yellen në letrën e saj të re.

/abcnews.al