Situata e koronavirusit në Shqipëri paraqitet shqetësuese. Konstatimi vjen nga mjeku infeksionist Pëllumb Pipero i cili tregon se në numrat e shtuar të të infektuarve javët e fundit po dominojnë moshat e reja.
Ndonëse komplikacionet më të mëdha vijojnë ti paraqesin të moshuarit apo të sëmurët kronikë ka dhe të rinj që kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Moshat e reja janë më të ekspozuar sepse janë në marrëdhënie pune. Moshat e vjetra kanë më shumë kujdes. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë.
Shtimi i rasteve ka sjellë më shumë raste në spital dhe humbje jetësh. Në kompleks jeta është shqetësuese por nuk është ende problematike”, shprehet Pipero.
LEXO EDHE: 90 raste të reja me koronavirus brenda ditës, si është harta e shpërndarjes
Ndryshe nga çfarë ka deklaruar më herët, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero duke parë ecurinë e pandemisë në vend dhe qasjen e qytetarëve ndaj masave parandaluese mendon se mbajtja e maskës duhet të kthehet në detyrim ligjor dhe në mjedise të hapura.
“Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam kundër maskës në rrugë.
Por që të na bëhet mënyrë jetese duhet të mbahet edhe në rrugë. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit deri në 95%”, thotë Pipero.
Nëse rritet ndërgjegjësimi për përdorimin e maskës dhe respektimin e distancimit fizik Pipero thotë se numrat e të infektuarve do të njohin rënie dy javët ne vijim në të kundërt situata rrezikon të kthehet në problematike./abcnews.al