Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë takimit me ekipin e epidemiologëve të Tiranës ka deklaruar se do të rritet gjurmimi edhe me 10 grupe të reja ekipet e terrenit në Tiranë, nisur nga shtimi i numrit të të infektuarve për përballimin e situatës gjatë vjeshtë-dimrit. Ajo tregoi edhe qytetet më rritje të numrit të infektimeve ku kryeson Tirana, e ndjekur nga Durrësi, Lezha, Kukësi.
“Kemi një rritje të numrit të infektimeve, në Tiranë kryesisht por edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Durrësi, Lezha, Kukësi, kryesisht qarqet e veriut janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve, ndaj kemi forcuar kapacitetet. Përpos rritjes aktuale me 30% të ekipeve të terrenit do të shtojmë edhe 10 ekipe të reja dhe të mund t’ja dalim në këtë sfidë të parë të vjeshtë dimrit”, tha Manastirliu.
Epidemiologët e Tiranës u shprehën se puna në terren është rritur, sidomos në institucionet arsimore dhe vatrat kryesore janë të përqendruara në zonat me densitetin më të lartë.
“Në fokusin tonë kryesor kemi kryesisht shkollat dhe për t’u lidhur dhe me vatrat e nxehta që kemi në kryeqytet, kryesisht Astirin, ish-Bllokun, Kombinatin, etj”, u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.
“Puna në terren vërtet është një punë e vështirë. Por falë mbështetjes edhe nga ana e qeverisë dhe e Ministrisë për pjesën e logjistikës, për pjesën e bonusit. Është e vërtetë që bonusin e kemi marrë çdo muaj të plotë”, tha epidemiologia Ermelinda Murati.
Ekspertët e shëndetit publik u shprehën se rritja e testimeve po ndodh si rezultat i gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik.
“Testimi vjen pasi ne bëjmë hetimin. Pra nuk është se ne kemi shtuar testimet se duhet të shtojmë testimet. Kemi shtuar testimet sepse në terren ka më shumë vatra dhe është kërkuar nga popullata, nga kushtet ku jemi, për shtuar këtë testim”, tha Adela Vasili, eksperte e shëndetit publik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi mbështetjen për stafet mjekësore në vijën e parë të përballjes me COVID19 për mjetet e mbrojtjes personale dhe për bonusin special, deri ditën e fundit të epidemisë.
“Dua që t’ju siguroj që mbështetja e qeverisë do të vijojë. Bonusi special për çdo epidemiolog, për çdo mjek, për çdo infermier në përballje me Covid19 në vijën e parë të frontit do të vijojë. Degjojmë që ka propozime tani, se fillon fushata dhe premtimet, 6 muaj bonus për mjekë, infermierë. Ne kemi 8 muaj që mbështesim mjekët, infermierët, epidemiologët, dhe do t’ju mbështesim deri në ditën e fundit të kësaj epidemie me bonusin special dhe ndërkohë që nga viti tjetër do të bëhet realitet rritja historike e pagave 40 % për punonjësit tanë shëndetësorë”, tha Manastirliu./mv. abcnews.al