Rritja e pagës për policët, Fishta: Qeveria te rishikojë dhënien e gradave

schedule18:04 - 3 Korrik, 2022

schedule 18:04 - 3 Korrik, 2022

Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, e cilëson si një hap të mirë vendimin më të ri të qeverisë, për rritjen e pagesës së efektivëve që shërbejnë larg vendbanimit dhe familjeve të tyre.

Thotë se kjo rritje në pagë mund të ulë edhe përfshirjen e uniformave blu në paligjshmëritë e grupeve kriminale.

“Ka efekt pozitiv sepse situata për të cilën u bë ndryshimi është e tillë ku ne jemi prezent në rritjen e çmimit të karburanteve, të ushqimeve, të rritjeve të çmimeve në përgjithësi. Presioni që ushtrohet ndaj punonjësit të policisë nga shkelësit e ligjit është i tillë që për ti lënë të lirë detyrohen që t’i kompromontojnë qofshin edhe nga ana financiare apo në forma të tjera. Themi se duhet të ndikojnë sepse rrit performancën.”

Fishta thekson se efektivët duhet të paguhen edhe për orët shtesë, në një kohë që tashmë shkojnë në zona bregdetare e malore gjatë sezonit turistik. Sqaron se ka ende punonjës policie që kanë më shumë se 6 muaj që nuk janë paguar për orët shtesë.

“Planet e masave që ka përgatitur drejtoria e përgjithshme e policisë për sezonin turistik janë të tilla që edhe me numrin aktual që sot ka policia nuk e përballon territorin, ose mbikqyrjen e të gjithë territorit bregdetar. Kështu që është i detyruar që punonjësit të policisë t’ja zgjasë kohën e punës, me 10 ose 12 orë.
Punonjësit e policisë mund të kenë edhe struktura të veçanta që kanë mbi 6 muaj që nuk kanë marrë pagesat shtesë për mbi kohë pune.”

Një vendim i rëndësishëm që duhet rishikuar nga qeveria është edhe dhënia e gradave.

Një ndër vendimet që duhet të shikojë qeveria, t’i nxjerrë në raport me ligjin është dhënia e gradave të punonjësve të policisë të nivelit zbatues, që janë inspektor i dytë, inspektor i parë. Sot ne kemi 4 mijë punonjës policie që njësohen me gradat e një punonjësi policie që sapo del nga akademia, nga kursi bazë për patrullat e përgjithshme.
Ligji e ka parashikuar që punonjësit e policisë që kanë 10 vite punë, përfitojnë gradën inspektori i dytë. Ata që kanë mbi 15 vite, përfitojnë gradën isnpektori i parë. Kjo duhet të ishte bërë që në 2018-ën dhe akoma sot nuk është zbatuar.”

Që prej 1 korrikut hyri në fuqi vendimi që efektivët që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit të paguhen shtesë në varësi të kilometrave. Pagesa më e lartë mujore shkon deri në 30 mijë lekë për mbi 200 km.

PAGESA MUJORE SIPAS KM

36 km deri 60 km, të paguhen 10 000 lekë në muaj
61 km deri 100 km, të paguhen 15 000 lekë në muaj
101 km deri 150 km, të paguhen 20 000 lekë në muaj
150 km deri 200 km, të paguhen 25 000 lekë në muaj
Mbi 200 km, të paguhen 30 000 lekë në muaj./ABCNEWS.AL/