Rritja e kostove të ndërtimit ka çuar në vonesa për fillimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Këtë e ka pranuar vetë kryeministri Edi Rama gjatë një konference për fillimin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës.
“U bënë 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar e ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh. Fatkeqësisht pasi tërmeti, pandemia e lufta në Ukrainë, kanë goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe të rritjes së çmimeve të ndërtimit në veçanti. Jemi duke diskutuar që ka patur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit për Teatrin, por e gjitha lidhet me këtë moment të vështirë për kalimin e projektit nga letra, por gjithçka lidhet me kostot. Është e kotë që me këto çmime t’i kërkosh kompanive të marrin pjesë në gara të tilla. Po merremi me këtë çështje dhe do e gjejmë një zgjidhe, teatri do ndërtohet siç është projektuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e caktuar kur në mes futen ngjarje as mund të parashikohen as mund të evitohen”, tha ai.
Mes të tjerash kreu i qeverisë u shpreh se gjatë sezonit, do të aplikohet një skemë për pastrimin e zonës bregdetare, ku ka kërkuar edhe bashkëpunimin e bashkive dhe qytetarëve,
“Kemi një skemë të re për pastrimin e territorit në zonën bregdetare. Ndryshimi do të jetë i dukshëm. Nuk mjafton angazhimi i shtetit por edhe bashkëpunimi i bashkisë dhe qytetari. Të jetë në lartësinë e nevojës së madhe të vendit për të mos u turpëruar në sytë e botës.” tha Rama.
Duke u ndalur tek sezoni turistik, Rama theksoi se prenotimet janë shumë domethënëse.
“Rritjen më të madhe të fluturimeve në Europë. Kjo ka ardhur si shkak i uljes së çmimeve Prenotimet për sezonin janë shumë domethënëse. Industria e turizmit do njoh rritje të madhe dhe brenda dekadës do jetë kampione në rajon për turizmin.” tha Rama. /abcnews.al/