Rritja e fataliteteve, Manastirliu: Vaksinohuni, për t’iu afruar fundit të pandemisë

schedule12:32 - 25 Shtator, 2021

schedule 12:32 - 25 Shtator, 2021

Tiranë – Nisur nga rritja e numrit të personave që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19 në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një mesazhi, i është drejtuar qytetarëve për t’u vaksinuar, duke e quajtur mënyrën më të shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë.

“Mos e neglizhoni vaksinimin duke dëgjuar broçkullat e kujt nuk ka as edhe një minimum humanizmi dhe përgjegjshmërie. Sfida që disa i bëjnë shkencës dhe mjekësisë, refuzimi për të pranuar mendimet e ekspertëve më të mirë në Botë, që thonë se vaksina është arma më e fuqishme që ka sot njerëzimi, është një mendjelehtësi që ka pasoja të rënda. Dhe pasojë më të rëndë se sa humbja e jetës, unë nuk di të ketë. Ndaj sot dua t’ju drejtohem jo vetëm si Ministre e Shëndetësisë, por dhe si vajzë, si motër dhe si nënë, të gjithë atyre që ende nuk janë vaksinuar. Vaksinohuni për të shpëtuar jetën tuaj dhe të njerëzve tuaj të afërm”, apeloi Manastirliu.

Duke u ndalur tek situata në spitale, Ministrja e Shëndetësisë tha se shumica dërrmuese e të shtruarve janë të pavaksinuar.

“Edhe pse shifrat e infeksioneve të shkaktuara nga Covid-19 kanë pësuar një ulje të lehtë në ditet e fundit, për fat të keq, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me fatalitetet. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalet tona Covid, shumë qytetarë nuk kanë mundur të fitojnë betejën për jetën. Sipas raportimit nga spitalet COVID 95 % e rasteve shtrimeve në spital janë të pavaksinuar. Po kështu shumica dërrmuese e viktimave në Spitalet Covid, janë jetë njerëzish që e humbën luftën, për shkak të mosvaksinimit”, nënvizoi Manasirliu në mesazhin e saj.

Ministrja e Shëndetësisë tha se të dhënat e rasteve të prekura, na tregojnë efikasitetin e vaksinave anticovid.

“Incidenca e rasteve të cilët janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen pavarësisht nëse janë shtruar ose jo në spital, është 22 herë më e ulët në krahasim me incidencën e rasteve, të cilët nuk janë vaksinuar. Gjë e cila tregon vlerën që ka vaksinimi. Fakti që në të dhënat tona javore incidenca e sëmundjes është tepër e lartë tek të pavaksinuarit, si matje rezulton 20-30 herë më e lartë, tregon efektin domethënës të vaksinave”, tha Manastirliu.

Duke njoftuar gatishmërinë e stafeve mjekësore çdo ditë të javës, përfshirë edhe të shtunën dhe të dielën, Ministrja Manastirliu bëri këtë apel për qytetarët:

“Bota ka çrrënjosur shumë sëmundje, përmes vaksinave. Edhe në luftën me armikun e padukshëm, mënyra më e shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë, është përsëri vaksina! Vaksinimi, siç thoshte pak ditë më parë Papa Françesku ‘është një akt dashurie’. Një akt dashurie për veten, për prindin, për njerëzit e dashur”.

Vaksinimi anticovid vijon në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqëndruar, çdo ditë të javës, ku çdo qytetar +18 vjeç mund të vaksinohet me kartën e identitetit. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,693,555 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa 760,960 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,045,310 vaksina antiCOVID. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!