Rritja e çmimeve të apartamenteve, Rama i shmanget pyetjes: Paraja nuk vjen asnjëherë e para për mua

schedule09:53 - 1 Tetor, 2022

schedule 09:53 - 1 Tetor, 2022

Kryeministri Edi Rama foli për 4.646 metrat katrorë ndërtim pa leje në mes të Tiranës që i kaluan shtetit, pasi gjykata rrëzoi kallëzimin e bërë nga qeveria në qershor të këtij viti.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët në Facebook, Rama tha se rasti i 4.646 metrave katrorë detyroi qeverinë që të vendosë në fuqi ligjin e fundit që konfiskon katet pa leje.

 

Rama tha se askush nuk e korrupton për para dhe se për të paraja nuk është e para. Megjithatë kryeministri nuk dha asnjë përgjigje për shtrenjtimin qirave të apartamenteve në Tiranë.

“Është dënimi me gjobë sipas ligjit i kompanisë për 4 646 metra katrorët. Është dënim me gjobë, sipas ligjit për metër katrorë. Shuma 160 plus milionë, ose 1.3 milionë dollar, gjoba është vendosur në fillim të muajit qershor. E çuam në gjykatë gjobën dhe gjykatësi rrëzoi shtetin. Gjykatës i verbuar nga paraja. Por unë nuk ngre akuza pa prova. Gjykatës i verbuar dhe i padenjë, që i thotë shtetit jo. Ndërkohë që gjobën e ka ligji. Nuk e ka inspektorati. Ky ka qenë rasti që ka derdhur kupën dhe na ka detyruar të veprojmë me vendimin e fundit të qeverisë që mos ndërhyjë asnjë gjyqtar apo prokuror i korruptuar. Inspektorati kombëtar ka kallëzuar 40 subjekte dhe 18 kryetarë bashkish, 12 drejtorë urbanistikë në bashki. Sa nga këta kanë shkuar para ligjit? Asnjë. Dosjet i ka zënë myky nëpër prokurori”, tha Rama.

Pak ditë më parë, Rama ka deklaruar se nuk do të ketë tolerime për ndërtimet pa leje. Në konferencën për Bilacin Vjetor të Turizmit, Rama nënvizoi se aksioni që ka nisur është shumë serioz dhe askush nuk ka për të gëzuar 1 metër katror që ka përfituar jashtë lejes.

Sipas tij, ka ende ka ndërtime pa leje, por janë në numër më të paktë se në të shkuarën.

/abcnews.al/