Rritja e bashkëpunimit dhe zhvillimi i futbollit të bazës, FSHF organizon takim me përfaqësuesit e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan

schedule11:37 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 11:37 - 1 Dhjetor, 2023

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit dhe anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori Teknik pranë FSHF-së, Fulvio Pea, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit, Aldi Topçiu, Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve, Andi Zëre si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF dhe SHRFE.

Qëllimi i këtij takimi ishte për të rritur edhe më tej bashkëpunimin midis shoqatave anëtare të SHRFE dhe FSHF-së.

Temat e diskutimit kishin të bënin me organizimin e kampionateve, strategjinë e FSHF-së dhe programet e dedikuara për zhvillimin e futbollit të zonës, bashkëpunimin me klubet profesioniste për nevojat e ekipeve të para, rëndësia e futbollit të bazës në funksion të futbollit profesionist, si edhe e drejta e formimit dhe përfitimet që kanë akademitë nga kjo e drejtë.

Gjatë fjalimit të tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka theksoi se synimi kryesor i këtij takimi është që shoqatat rajonale të futbollit në të ardhmen të funksionojnë njësoj si një federatë.

Presidenti Duka theksoi ndër të tjera se Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë gjithmonë në mbështetje të shoqatave dhe në funksion të zhvillimeve të klubeve me programe trajnimi dhe iniciativa të ndërmarra me synim zhvillimin e mëtejshëm të futbollit dhe zbulimin e sa më shumë talenteve që do të shërbejnë në të ardhmen për klubet dhe ekipet Kombëtare./ h.ll/abcnews.al