Fermerët kanë prodhuar më tepër perime, agrume e bimë medicinale gjatë vitit të kaluar. Por në vend është prodhuar më pak fruta, grure e ullinj.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se prodhimi bujqësor në vend ka arritur në rreth 9.7 milionë tonë, duke shënuar luhatje në disa prej kulturave kryesore.
Sipas të dhënave, prodhimi i drithërave ka qenë 623.957 tonë, ku qarku i Fierit mbetet prodhuesi kryesor në nivel vendi. Ndërkohë, perimet kanë arritur në 1.44 milionë tonë, me një rritje të lehtë prej 1,5 %, ndërsa Fieri, Tirana dhe Berati përbëjnë shumicën e prodhimit.
Në të kundërt, prodhimi i frutave ka shënuar rënie me 12,8 %, ndërsa ullinjtë dhe patatja gjithashtu kanë pësuar ulje krahasuar me një vit më parë. Agrumet kanë arritur në rreth 59 mijë tonë, ku qarku i Vlorës dominon prodhimin.
Të dhënat tregojnë se ndërsa disa kultura si perimet dhe disa drithëra kanë shënuar stabilitet ose rritje, sektori i frutave dhe disa produkteve tradicionale ka pësuar rënie gjatë vitit 2025.
Edhe Blegtoria në Shqipëri ka shënuar ndryshime të përziera gjatë vitit 2025, me rritje në disa kategori dhe rënie në të tjera.
Sipas të dhënave, numri i gjedhëve është rritur lehtë, ndërsa një trend pozitiv vihet re në bletari, ku numri i koshereve është rritur ndjeshëm me rreth 10%. Si rezultat sipas të dhënave të Instat Prodhimi i mjaltit është shtuar me 6 %.Sa i përket prodhimeve blegtorale, prodhimi i qumështit ka shënuar një ulje të lehtë, me qumështin e lopës që mbetet burimi kryesor në vend.
Të dhënat tregojnë një sektor me luhatje, ku disa degë po forcohen, ndërsa të tjera po përballen me tkurrje të numrit të krerëve.



