Ekonomia gjermane nuk e ka të lehtë aktualisht. Kushtet janë të vështira: koniunkturë e ulët, norma të larta interesi, çmime të larta energjie, – të gjitha këto kanë çuar në rritje të numrit të falimentimeve.
Numri i falimentimeve të regjistruara është rritur me 26,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Zyra Federale e Statistikave.
Në dhjetor 2023 kishte vetëm një rritje me 12,3%. Në këto statistika duhet pasur parasysh, se shifrat e falimentimeve hyjnë vetëm pas vendimit të parë gjyqësor, por koha e falimentimit në shumë raste është rreth tre muaj më parë.
Studiuesi e Institutit për Studime Ekonomike në Halle, Steffen Müller thotë se “zhvillimet në çështjen e falimentimeve mbeten dinamike dhe në muajt e ardhshëm me tendencë të rritjes së shifrave.”
Krahas kushteve të vështira aktuale për ekonominë, luan rol edhe një faktor tjetër. Ndihmat shtetërore për Coronën shpesh iu ofruan firmave që kishin probleme produktiviteti që para krizës.
Mbështetja shtetërore dhe pjesërisht një shfuqizim i detyrimit për kërkesën e falimentimit e ka mbajtur të ulët më parë numrin e falimentimeve në Gjermani, megjithë pandeminë e Coronës dhe krizën energjitike. Rritja e falimentimeve ishte e pritshme, sipas ekspertëve/ DW