Të paktën 492 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite që synonin Hezbollahun në Liban, thotë ministria e shëndetësisë e vendit, në ditën më vdekjeprurëse të konfliktit në pothuajse 20 vjet. Mes viktimave, 35 raportohet të jenë fëmijë, 58 gra ndërsa 1,645 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Mijëra familje janë larguar nga shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite tha se goditi 1600 objektiva të Hezbollahut për të shkatërruar infrastrukturën që grupi i armatosur kishte ndërtuar që nga lufta e vitit 2006. Hezbollahu, ndërkohë, lëshoi më shumë se 200 raketa në veri të Izraelit, ku mbetën të plagosur dy persona.
Fuqitë botërore kanë kërkuar vetëpërmbajtje pasi të dyja palët duket se po afrohen më shumë drejt një lufte gjithëpërfshirëse. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ngriti alarmin për situatën në përshkallëzim dhe tha se ai nuk dëshiron që Libani “të bëhet një Gazë tjetër”.
Shefi i çështjeve të jashtme të BE-së Josep Borrell tha se “përshkallëzimi është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe shqetësues” përpara një mbledhjeje të liderëve botërorë në OKB në Nju Jork, duke shtuar se “ne jemi pothuajse në një luftë të plotë”.
Presidenti Joe Biden tha se SHBA “po punonte për të de-përshkallëzuar në një mënyrë që lejon njerëzit të kthehen në shtëpi të sigurt”, ndërsa Pentagoni njoftoi se po dërgonte “një numër të vogël” trupash shtesë në Lindjen e Mesme.
Gati një vit luftimesh ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut, të shkaktuara nga lufta në Gaza, janë vrarë qindra njerëz, shumica prej tyre luftëtarë të Hezbollahut, dhe janë zhvendosur mijëra në të dy anët e kufirit./abcnews.al


