Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë në Holandë

schedule15:32 - 30 Tetor, 2018

schedule 15:32 - 30 Tetor, 2018

Autoritetet holandeze konfirmojnë rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend. Zyra e statistikave në Holandë bën të ditur se vetëm në Shtator të këtij viti ka pasur mbi 200 kërkesa për azil nga shqiptarë.

Sipas një raporti të publikuar nga zyra e statistikave në Holandë, numri i shqiptarëve, të cilët kanë kërkuar azil gjatë muajit Shtator arrin një shifër alarmante në krahasim me atë të një viti më parë. Raporti thekson se gjatë muajit Shtator të këtij viti kanë aplikuar për azil mbi 200 shqiptarë, ndërsa në Shtator të 2017 ishin vetëm 12  të tillë.

Ajo që është edhe më shqetësuese sipas statistikave holandeze është edhe fakti se rreth gjysma e azilkërkuesve janë nën 18 vjeç, çka do të thotë se shumica e personave që mbërrijnë në Holandë janë familjarë dhe çifte të reja.

Përgjatë gjithë 2018-s, numri i azilkërkuesve arrin në 560, nga ku shqiptarët vijojnë të jenë grupimi i 5 më i madh i azilkërkuesve në vend.

Sipas mediave holandeze shqiptarët po e shfrytëzojnë azilin në Holandë edhe për t`u larguar drejt një prej vendeve më të lakmuara prej tyre siç është Britania e Madhe, ku shpesh policia holandeze i identifikon dhe i ndalon kryesisht në portin e Roterdamit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!