Rritet numri i aksidenteve me vdekje në Shqipëri

schedule15:00 - 4 Gusht, 2019

schedule 15:00 - 4 Gusht, 2019

Në gjysmën e parë të këtij viti në rrugët e Shqipërisë pati më shumë aksidente me viktima, se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga 102 jetët e humbura në këtë 6-mujor në aksidente rrugore, 26 janë regjistruar vetëm në muajin Qershor.

Edhe pse pati një angazhim maksimal të efektivëve të policisë rrugore gjatë sezonit turistik veror, përsëri numri i aksidentet me pasojë vdekjen mbetet i lartë.

Vetëm gjatë muajit qershor humbën jetën nga përplasjet e automjeteve 26 persona. Një shifër disa herë më lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian në raport popullsie. Në  Qershorin e vitit të kaluar vdekshmëria nga aksidentet, sipas statistikave te policisë, ishte më e ulët, me gjashtë persona më pak se këtë Qershor.

Pjesa më e madhe e aksidenteve u shënua gjatë akseve kombëtare, veçanërisht në zonat bregdetare, por edhe në rrugët e sapo-përfunduara, siç është autostrada Tiranë-Elbasan. Konkretisht  në rreth rrotullimin e Saukut u regjistruan 6 viktima në më pak se 40 ditë. Pothuajse në të njëjtat shifra kanë mbetur edhe aksidentet rrugore me pasojë plagosjen  e rëndë dhe plagosjen e lehtë gjatë muajit Qershor.

Ajo që shqetëson më tepër specialistët e policisë së qarkullimit rrugor është fakti se në Qershor, në mbi 91  % të rasteve, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Në  këtë periudhë rreth një e treta e aksidenteve është kryer nga drejtues mjetesh te grup-moshës 25 – 35 vjeç.

Trend në rritje kanë aksidentet rrugore, sipas policisë së Shtetit, edhe në gjashtëmujorin e parë 2019-s. Numri i viktimave në rrugë në gjysmën e parë të këtij viti është 102 persona, ose 4 më shumë se në të njëjtin 6 mujor të vitit 2018./ABC News Albania 24/7