Ekonomia shqiptare ka vijuar që të mbështet në nivele rekord nga financimet e bankave. Viti 2025 është mbyllur me shifra mjaft optimiste të kredive të miratuara jo vetëm për bizneset por edhe për qytetarët .
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në dhjetor të vitit 2025 u disbursuan 62.2 miliardë lekë ose 14.4 miliardë më tepër nëse e krahasojmë me një vit më parë. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024 vihet re një rritje prej gati 30%. Ndërkohë që me vitet e kaluara shuma rezulton edhe më e madhe .
Sektorët që kanë marrë mbështetjen kryesore janë tregtia me pakicë e shumicë, pasuritë e paluajtshme dhe akomodimi ushqimor. Ndërkohë që kufizimet e Bankës së Shqipërisë për huatë për blerje banese duket se nuk ka dhënë efekte të ndjeshme në nivelin e huave të aprovuara.
Nëse shohim huanë e re për individët vëmë re se gjatë dhjetorit ka prekur vlerën e rreth 12.2 miliardë lekëve, që është vlera e dytë më e lartë e regjistruar për këtë muaj që prej dhjetorit të vitit 2015.Nga kjo për blerje banese, shifrat tregojnë se, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, u aprovuan 5.5 miliardë lekë.
sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë vërehet se portofoli total i kredive në fund të vitit 2025 ka arritur rekord duke tejkaluar të gjitha periudhat e njëjta përgjatë viteve të kaluara. Në total portofoli i kredisë rezultoi se ishte 943.4 miliardë lekë.
Edhe kursimet e qytetarëve dhe të bizneseve kanë arritur rekord përgjatë muajve të fundit.
Nga të dhënat zyrtare konstatohet se stoku i kursimeve totale në lekë dhe euro në fund të vitit 2025 arriti në 1.48 trilionë lekë ose rreth 15 miliardë euro.
Shtimi i depozitave rezulton se ka vijuar si në monedhën kombëtare lek po ashtu edhe në euro. Sipas Bankës Qendrore në lekë, shtesa vjetore e kursimeve ishte 81 miliardë lekë, ose rreth 810 milionë euro ndërsa në monedhën europiane ishte rreth 700 milionë euro.


