Gjermania numëron 15, 320 raste të konfirmuara me koronavirus duke u bërë kështu vendi i tretë në Evropë më i prekur nga Covid-19.
Vendin e parë e mban Italia me 41,035 të sëmurë dhe të dytin Spanja me 17,963 të infektuar.
Vetëm gjatë ditës së sotme në vend janë shtuar 2,993 raste të reja ndërsa numri total i personave që kanë humbur jetën është 44. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 16 persona.
Në një intervistë, ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer tha se ushtria do të përdoret për të ndihmuar në trajtimin e të sëmurëve, zgjidhjen çështjeve të transportit dhe sigurimin e mbështetjes thelbësore për policinë dhe autoritetet lokale ndërsa numri i të prekurve rritet.
Kramp-Karrenbauer u shpreh për Financial Times:
“Ne u kemi bërë thirrje të gjithë ushtarëve, veçanërisht atyre me përvojë mjekësore, të regjistrohen pranë nesh. Ekspertëve të kujdesit shëdetësor po u ofrojmë çdo gjë që të jetë e nevojshme.”
Duke qenë se situata nuk duket se po vjen drejt përmirësimit, autoritetet kanë urdhëruar që shkollat të mbyllen, bizneset “jo esenciale” të mbyllen ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë në shtëpi.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur se kjo është sfida më e madhe që po kalon vendi që pas Luftës së Dytë Botërore. /abcnews.al/