Rreziqet që i kanosen shqipes/ Kërcënohet nga “pushtimi” prej fjalëve të huaja dhe shkeljet gramatikore

schedule15:32 - 22 Shkurt, 2024

schedule 15:32 - 22 Shkurt, 2024

Gjuha është jo vetëm një mjet komunikimi, por dhe një tipar dallues i identitetit kombëtar. Ndër shekuj shqiptarët janë krenuar me gjuhën shqipe, si një gur i rëndësishëm themeli i kombit tonë. Por globalizmi dhe teknologjia na kane prekur dhe tek gjuha. Çarë po e rrezikon shqipen?

Të rinjtë e pranojnë se nuk e shmangin dot përdorimin e fjalëve të huaja në përditshmërinë e tyre

“ Po përdor shumë fjalë, e kam më të lehtë për t’u shprehur. Më vjen më natyrshëm t’i përdor”, shprehet njëri prej tyre.

“Përdor fjalët përshëndetëse. I dëgjojmë shumë në përditshmëri. Ka shumë fjalë që nuk ua dimë mirë kuptimin në shqip.”

“Shkruaj me shkurtime, është më kollaj”, tha një tjetër qytetar.

Sipas gjuhëtarit Shezai Rrokaj, me shqipen po ndodh fenomeni që shumë gjuhë të tjera në botë e kanë kaluar disa dekada më parë, si pasojë e globalizmit.

“Anglicizmat janë futur, kjo po ndodh edhe tek ne. Është e rrezikuar, por shqipja ia ka dalë edhe kur nuk kishte shtet”, theksoi Rrokaj.

Shqetësim mbeten gabimet drejtshkrimore në dokumentet e hartuar nga institucionet zyrtare.

“Jemi shprehur që në institucione duhet të jetë korrektori elektronik. Ne tashmë e kemi një korrektor. Gabimet vijnë si rezultat i shkollës. Ne na vijnë studentët me mangësi të mëdha dhe tekstet duhet të rishikohen.”

Gjuhëtari Shezai Rrokaj thotë se pavarësisht aktorëve që e rrezikojnë, ka një mënyrë të vetme për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

“Sa më shumë të lexojmë në gjuhën amëtare. Është si puna e vaksinës, në këtë mënyrë jemi më të imunizuar.”, tha ai.

Vitet e fundit fëmijët e vegjël po nisin të komunikojnë më parë në anglisht, ndikuar nga ekranet dhe teknologjia. Por sa dëmton kjo shqipen?

“ Problemi qëndron se cila gjuhë mësohet më parë. Fëmijët duhet të zotërojnë gjuhën shqipe, dhe më pas të mësojnë atë që do quhet gjuha e bukës apo punës,” u shpreh ai.

Sipas Rrokajt, investimi më i madh që bën një shoqëri është tek arsimi dhe dija, vetëm në këtë mënyrë shqipja do të vijojë të rezistojë e pacënuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!