Nga Julian Borger, The Guardian
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al
Në çdo moment rreth bregut të Detit të Zi, avionët dhe anijet detare ruse dhe të NATO-s, me dhe pa pilot, gumëzhijnë çdo ditë. Veprimet në fjalë po rriten gjithnjë e më shumë nga fakti se të dyja palët kanë mijëra koka bërthamore, duke shtuar rreziqet nga veprmet e pamatura.
Ministria ruse e mbrojtjes mohoi çdo akuzë se kishte rrëzuar dronin amerikan duke theksuar se avioni rus as nuk e kishte prekur dronin MQ-9 Reaper, i cili u rrëzua në Detin e Zi të martën, duke këmbëngulur se droni u rrëzua vetë.
Por akuzat e SHBA-së për manovrime të rrezikshme dhe madje se avioni rus kishte hedhur karburant mbi dronin amerikan janë të vazhdueshme, dhe në fakt rusët kanë një histori të gjatë të veprimeve të agresive, raporton abcnews.al.
Një studim i Korporatës Rand i vitit 2021, i cili analizoi dhjetëra incidente, arriti në përfundimin se kjo ishte një çështje e politikës.
“Moska duket se po përdor këto sinjale për të dërguar mesazhe të qarta në lidhje me aktivitetet që ajo i konsideron problematike”, thuhet në raport.
Në fakt Rusia po përpiqet të detyrojë ata që t’i mbajnë avionët dhe anijet amerikane larg skajeve të luftës së Ukrainës. Ka pasur një sërë rastesh të tilla që nga pushtimi i parë i Rusisë në vitin 2014. Në vitin 2017, një Su-27 fluturoi në mënyrë të rrezikshme pranë një avioni mbikëqyrës RC-135 Rivet.
Vitin e kaluar, një avion luftarak rus fluturoi shumë pranë një avioni spiun EP-3 të SHBA-së dhe në vitin 2020, një Su-27 fluturoi përpara një bombarduesi amerikan B-52.
Ngjarja e së martës është më e rëndë sepse ka sjellë një përplasje në det.
Komanda Europiane e SHBA-së vuri në dukje paaftësinë e pilotit rus. Por Massicot tha se në këtë rast “një përplasje e qëllimshme nuk mund të përjashtohet”. Përplasja i kushtoi SHBA-së një dron që kushtonte deri në 32 milionë dollarë, raporton abcnews.al.
Ndërsa komandanti i Trupave Detare të SHBA-së, Gjenerali David Berger, tha se skenarë të tillë si rrëzimi i këtij droni janë disa nga shqetësimet më të mëdha të ushtrisë amerikane për shkak të paparashikueshmërisë së zinxhirit të ngjarjeve që mund të shkaktojnë pas tyre.
Berger tha se ngjarja përbënte një shqetësim në Paqësor. Në fakt, hera e fundit që një avion luftarak amerikan u përfshi në një përplasje të tillë, ishte në brigjet kineze në prill të vitit 2001, kur një avion amerikan EP-3 u godit nga një avion përgjues kinez.
Avioni kinez u rrëzua në det dhe avioni spiun amerikan u detyrua të bënte një ulje të detyruar në ishullin Hainan të Kinës, duke shkaktuar një krizë diplomatike, raporton abcnews.al.
Rrëzimi i një droni të shtrenjtë mbi Detin e Zi është një gjë, por shkatërrimi i një avioni me ekuipazh dhe vrasja e pilotëve ose detyrimi i uljes në territorin armiqësor në mes të luftës do të çonte në një situatë shumë më të paqëndrueshme, me presion ndaj palëve të tjera për marrë masa të ashpra.
Incidenti i djeshëm është cilësuar si një nga përplasjet e para të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Moskës, por analistet nuk mendojnë se vetëm ky “fërkim” mund të çojë dy fuqitë bërthamore në një konflikt të hapur, që do të shndërronte luftën në Ukrainë në një konflikt global.
/abcnews.al