Rrezikohej pallati dhe banesa, nis sondimi i kodrës

schedule18:43 - 13 Tetor, 2018

schedule 18:43 - 13 Tetor, 2018

10 muaj pas dëmtimeve në një pallat e disa shtëpi private nga shkarjet e forta të tokës ka nisur puna në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër. Fillimisht po bëhet sondimi i territorit të kodrës, për të vlerësuar investimin që duhet bërë në këtë zonë.

Ka nisur sondimi i terrenit shtufor të lagjes “Punëtori” në Gjirokastër, aty ku në Janar të këtij viti, një pallat gjashtë katësh si dhe disa banesa private, rrezikuan të shembeshin. Një grup specialistësh po bëjnë shpimet në fundin e kodrës dhe gjatë 36 ditëve do të avancojnë në të gjithë hapësirën që mbart rrezikun si pasojë e pasurimit me ujëra nën dhe mbitokësorë.

Kjo ndërhyrje kryhet pas përpilimit të projektit nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës me vlerën e 4 milionë lekëve dhe vonesa ka ardhur si pasojë e tenderimit.

Për nënkryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Vangjel Muco, i cili është edhe një prej hartuesve të projektit, pas përfundimit të këtij procesit, qeveria është ajo që do të alokojë fondet për ndërhyrje pasi Bashkia e Gjirokastrës nuk mundet për një investim kaq të madh kapital.

“Me të marrë rezultatet e vlerësimit të preventivit për të parë se ç’fonde do të nevojiten për të realizuar ndërhyrjen dhe do bëjmë vazhdimisht kërkesa pranë qeverisë shqiptare për të bërë ndëryhyrje gjatë vitit 2019”, nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër, Vangjel Muco.

Në 5 Janar të këtij viti, trualli nën pallatin 6 katësh në kodrën e lagjes “Punëtori” pati lëkundje tektonike. Banorët u evakuuan dhe shumë nga ta u strehuan në konvikt dhe në hotele. Pas disa javësh, familjet u rikthyen në pallat dhe sot e kësaj dite ata jetojnë me frikën e shembjes së godinës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!