“Ata nuk po afrohen, ata tashmë po e bëjnë atë.” Kjo ishte përgjigja e përfaqësuesit të Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse NATO po i afrohet pikës së konfliktit të drejtpërdrejtë me Rusinë në frontin ukrainas.
“NATO po ngre përshkallëzimin në nivele edhe më të larta. NATO po flirton me retorikën luftarake dhe po bie në ekstazë ushtarake”, argumentoi zyrtari rus, duke shtuar se Moska po merr masa dhe do të përgjigjet në përputhje me rrethanat.
Shkak për këto qëndrime ogurzezë ishin deklaratat e Jens Stoltenberg, me të cilat Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s avokoi heqjen e kufizimeve të vendosura nga disa vende të rëndësishme anëtare të Aleancës, si SHBA dhe Gjermania, për përdorimin e armëve në objektivat ruse.
Këto vende japin dritën jeshile për përdorimin e armëve të tyre kundër trupave ruse në territoret e pushtuara të Donbasit, Khersonit dhe Zaporizhisë, si dhe në Krime, e cila u aneksua nga Rusia në 2014, por jo brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Rusisë.
“Kjo lidh duart e ukrainasve pas shpine dhe e bën shumë të vështirë për ta garantimin e mbrojtjes së tyre,” tha Stoltenberg në hapjen e asamblesë parlamentare të NATO-s në Sofje.
“Unë mendoj se ka ardhur koha për të rishikuar disa nga këto kufizime,” u tha ai gazetarëve, duke argumentuar se Kievi ka “të drejtën të godasë objektiva legjitime ushtarake jashtë Ukrainës”.
Në vizitën e tij të fundit në Kiev, më 15 maj, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken la të kuptohet se administrata Biden së shpejti mund të rishikojë qëndrimin e saj. Kreu i Departamentit të Shtetit kishte deklaruar në atë kohë se, ndërsa Uashingtoni nuk ka inkurajuar sulme jashtë Ukrainës,
“Ukraina është në fund ajo që do të marrë vendimet e veta për mënyrën se si e zhvillon këtë luftë”. Dje, Kievi njoftoi se kishte goditur një bazë në qytetin rus Orsk, rreth 1800 kilometra larg kufirit.
Në Madrid, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky siguroi një miliard euro ndihmë ushtarake nga Spanja për këtë vit dhe nënshkroi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi ushtarak që parashikon pesë miliardë euro të tjera deri në vitin 2027.
Gazeta El Pais raportoi se Spanja do t’i sigurojë Ukrainës, 12 raketa kundërajrore Patriot të prodhimit amerikan dhe 19 tanke gjermane Leopard të përdorura.
Një ditë më parë, Zelensky postoi një video nga Kharkiv, i cili ka qenë nën presion intensiv ushtarak nga Rusia kohët e fundit, për konferencën e paqes që po organizohet në Zvicër, të iniciuar nga Kievi, në qershor.
Presidenti ukrainas ftoi personalisht presidentin amerikan Joe Biden dhe homologun e tij kinez, Xi Jinping, të marrin pjesë në samit. Plani i paqes i Ukrainës, të cilin Moska e refuzoi kategorikisht, kërkon tërheqjen e trupave ruse nga të gjitha territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë.
Në një përpjekje për të frenuar “luftërat hibride” për të cilat fajësojnë Rusinë, gjashtë vende anëtare të NATO-s (Norvegjia, Finlanda, Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia ) kanë njoftuar se së bashku do të ndërtojnë një “Mur dronësh” përgjatë kufirit me Rusinë. Nisma u njoftua nga ministrja e brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, dhe më vonë u konfirmua nga përfaqësuesit e pesë vendeve të tjera.
Pjesëmarrësit akuzojnë Moskën se po zhvillon luftëra hibride, pra fushata presioni politik pa mjete ushtarake, por në mënyra të tjera, të fshehta, të tilla si lehtësimi i flukseve të refugjatëve në vendet në fjalë ose kontestimi i kufijve detarë në Balltik.
Javën e kaluar, Ministria ruse e Mbrojtjes postoi në faqen e saj të internetit për disa orë një plan për zgjerimin e njëanshëm të kufirit detar rus në kurriz të Lituanisë dhe Finlandës.
Detajet e planit duket se nuk janë zbardhur ende. Ministrja e Brendshme e Lituanisë tha se çdo vend duhet ta studiojë çështjen tërësisht dhe shprehu optimizmin e saj se projekti do të financohet nga fondet e BE-së.
/abcnews.al