Pedagogia Klodiana Beshku thotë se Izraeli po përpiqet që të tregojë forcën në rajonin e Lindjes së Mesme. Në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, duke komentuar kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, ajo tha se mund të ketë sulme të tjera pas pashkëve hebraike.
“Sulmi ishte i pritshëm duke qenë se Izraeli po përpiqet të tregojë forcën në rajon dhe të kthehet në fuqinë më të madhe të Lindjes së Mesme. Në këtë pikë ndikohet ose konkurron drejpërdrejt priten edhe sulme të tjera në vazhdim. Pas mbarimit të pashkëve hebre në fund të prillit të gjithë kanë frikë se mund të ketë sulme të tjera dhe prandaj, u vu re qartë se liderët e botës kërkojnë të lajnë duart duke treguar se janë të tërhequr apo të papërfshirë në këtë konflikt në mënyrë të drejtpërdrejtë por njëkohësisht të ngrenë alarmin me atë që quhet përshkallëzimi i konfliktit. Dhuna për fat të keq është spirale dhe sa më shumë akte të ketë, aq më shumë pritet që këto sulme të vazhdojnë.”, u shpreh ajo.
Pedagogia thotë se sulmet e Iranit dhe Izraelit kundrejt njëri-tjetrit kanë qenë ‘simbolike’ dhe nuk kanë rrezik për rajonin. E pyetur për mundësinë e një zgjerimi të konfliktit në rajon, pedagogia tha:
“Si e shoh unë në këndvështrimin gjeopolitik, duket sikur jemi më shumë një periudhë të Luftës së Ftohtë. Domethënë nga njëra anë kemi Iranin që ka nga pas Rusinë, ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe nga ana tjetër, kemi Izraelin që ka nga pas SHBA. Ajo që dimë nga Lufta e Ftohtë ishte se fuqi të ndryshme u konfrontuan me njëra-tjetrën dhe pavarësisht se SHBA dhe ish Bashkimi Sovjetik nuk e bënë asnjëherë këtë që të konfrontoheshin drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Them se do të ketë një përshkallëzim të situatës në Lindjen e Mesme por të dyja fuqitë e mëdha, SHBA dhe Rusia nuk do të përfshihen ende në konflikt në mënyrë të drejtpërdrejtë.”, shtoi Beshku. /abcnews.al