Rrëshkitje të tokës në Kalanë e Lezhës/Rrezikohen banesat

schedule11:38 - 15 Mars, 2018

schedule 11:38 - 15 Mars, 2018

Një masiv toke ka rrëshqitur gjatë natës në lagjen Varosh të Lezhës duke vënë në rrezik edhe banesa. Muret mbajtëse të rrugës së kalasë janë shembur, pasi janë marrë para nga dheu duke sjellë edhe bllokimin e rrugës deri me ndërhyrjen e punonjësve të shërbimeve, të cilët e rihapën shumë shpejt.

Muret mbajtëse të rrugës së Kalasë në Lezhë po shemben. Një masiv gurësh ka rënë natën në lagjen e quajtur Varosh. Banesat poshtë dhe lart ndodhen në rrezik.Kurse rruga u bllokua përkohësisht. Punonjësit e shërbimeve pas disa orësh mundësuan hapjen e saj.

Për  të identifikuar situatën në terren shkuan inxhinierët, specialistët e urbanistikës dhe emergjencat civile të Bashkisë.

Ata e kanë konsideruar situatën emergjente, pasi rrezikohet të ketë përsëri rreshkitje të tokës.  Dy banesa ndodhen pikërisht në zonën kritike.

Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës Enver Hafizi tha se bashkia është në gjendje alarmi dhe se po merren masa paraprake për devijim të lëvizjes së mjeteve dhe banorëve në pritje të një ndërhyrjeje më të specializuar.

“Është situatë shumë emergjente, duhen mjete më të mëdha për sistemimin e kësaj pjese. Jemi duke bërë edhe monitorimin e rrugës, për disiplinimin e qarkullimit, do vëmë njerëz, do vëmë tabela, dhe po shohim mundësinë e kalimit të një rruge tjetër nga Lagjia e Varoshit”- deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Lezhës Enver Hafizi.

Rrëshqitjet e tokës në lagjen “Varosh” të Lezhës nuk janë një rastësi. Edhe më parë ka patur problematika të ngjashme, e kjo edhe për faktin se në këtë zonë janë bërë ndërtime pa kriter dhe pa një studim për mënyrën e mbrojtjes nga këto rrëshqitje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!