Rrëmbimi i policëve, reagon Begaj: Akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe mbarë rajonit

schedule08:17 - 15 Qershor, 2023

schedule 08:17 - 15 Qershor, 2023

SHQIPËRI- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dënuar aktin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Kreu i shtetit thekson se ky është akt i rëndë, që rrezikon destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Ai gjithashtu u kërkon autoriteteve serbe të lirojnë menjëherë efektivët e Kosovës. Mes tjerash, Begaj iu drejtohet me thirrje vëllazërore autoriteteve të Kosovës “për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çensionimin e situatës”.

Deklarata e presidentit:

Rrëmbimi i tre efektivëve  të Policisë së Kosovës Brenda territorit Kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.

Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çensionimin e situatës. Koordinimi me ShBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!