Agjencia Evropiane e Barnave pritet të hapë rrugën që Komisioni Evropian të miratojë vaksinën për Covid-19 të prodhuar nga Janssen, një filial i Johnson & Johnson, më vonë gjatë ditës së sotme.
Komisioni Evropian pastaj duhet ta japë fjalën përfundimtare. Kjo do të jetë vaksina e katërt kundër koronavirusit që aprovohet për përdorim në Evropë.
Nga kjo vaksinë mjafton vetëm një dozë dhe për këtë arsye administrohet më shpejt dhe më lehtë sesa vaksinat që përdoren tashmë. Po ashtu, vaksina është më e lehtë për t’u transportuar pasi nuk kërkon kushte specifike të ngrirjes dhe thuhet të jetë efektive për të gjitha grupmoshat.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave e miratoi vaksinën e J&J 12 ditë më parë, kurse Agjencinë Evropiane e Barnave pritet të ndjekë shembullin e saj sot. EMA ka muaj që vlerëson të dhënat dhe studimet laboratorike rreth kësaj vaksine. Ndërkohë, BE ka porositur 200 milionë doza. sb/abcnews.al/