Rregullat e reja të Trump: Në dyqan duhet të shkoni me kartë identiteti

schedule23:45 - 1 Gusht, 2018

schedule 23:45 - 1 Gusht, 2018

Kartë identiteti për të blerë ushqime. Propozimi i fundit i Donald Trump ka shtangur qytetarët amerikanë. Ndonëse e ka argumentuar propozimin me përforcimin e sigurisë, presidenti ka marrë një sërë kritikash nga mediat dhe kundërshtarët politikë.

Donald Trump ka befasuar sërish me deklaratat e tij kontradiktore. Në një miting të mbajtur në Florida me moton “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, Trump ka paralajmëruar qytetarët se, për të bërë pazar duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit. “Nëse ju duhet të dilni për të blerë ushqime duhet të keni me vete një foto. Pra, ju duhet karta e identitetit”, ka deklaruar Trump. Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka argumentuar propozimin e tij me përpjekjet për të përforcuar kontrollet mbi identitetin e votuesve. “Në këtë vend, rasti i vetëm kur nuk ju duhet karta e identitetit është kur shkoni të votoni për presidentin, për një senator, kongresmen apo guvernator”, ka vijuar Trump. Ndonëse është shprehur i vetëdijshëm se kjo është një marrëzi, kreu i shtetit ka nënvizuar se administrata e tij po e shqyrton opsionin. Karta e identitetit nuk kërkohet në supermarketet amerikane, përveç rasteve kur blihet alkol, ose në rastet kur blerjet bëhen përmes kartës së kreditit. Duke reaguar, gazetarët e kanë cilësuar deklaratën e presidentit një absurditet. “Trump është jashtë realitetit! Nuk ju duhet karta e identitetit për të blerë ushqime”, ka komentuar në Tëitter gazetari i CNN, Jim Acosta. Por vetëm pak më vonë, gazetari ka rënë pre e një sulmi të mbështetësve të Trump, që përveç se në adresë të tij kanë hedhur kritika edhe ndaj vetë CNN. Ndërkohë, përfaqësuesja e Partisë Demokratike në Teksas, Calvor Alvarado ka deklaruar se nuk është e habitur nga çudirat e Trump. “Mua kjo nuk më habit aspak. Trump është aq i shkëputur nga realiteti saqë shumë shpejt do ta shkatërrojë shtresën e mesme të amerikanëve”, ka thënë Alvarado. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!