Artisti i njohur shkodran, Ruzhdi Keraj ka bërë një rrëfim shumë të ndjerë në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ai është ndalur fillimisht te vendlindja e tij, Shkodra dhe familja e tij e përbërë nga dy prindër punëtorë dhe 6 djem.
Keraj rrëfeu marrëdhënien e tyre që nga fëmijëria, duke thënë se ishin të vetmit në Shkodër që kishin dal me shkollë të lartë.
“Si mund të harrohen rrënjët? Ajo shtëpi është fillimi i rruhës së jetës. Një shtëpi e vogël me dy prindër të mrekullueshëm, të dy punëtorë që bën 6 fëmijë me shkollë të lartë. Ne jemi të vetmit në Shkodër që 6 djem janë me universitet. Është gjaja më e rrallë që mund të ketë ndodh ndonjëherë. Prandaj ajo shtëpi e vogël në Lagjen Rus na dha shumë. Ajo shtëpi me atë oborrin e vogël, me trumën ku nxirrnim ujë. Nëna çohej herët në mëngjes në nadje me lagë lulet, se gjithë oborri ishte me lule. Ishte shumë e kujdesshme me lulet. Ajo na shikonte nga penxherja ku ishte makina e qepjes, që ujisnim lulet dhe fillonim lageshim bashkë me njëri-tjetrin, argëtoheshim. Argëtoheshim 6 djem. Njëri nga vëllezërit është Jakup Keraj, piktor që s’kam nevojë të flas unë, flet një opinion i tërë”.
Sa i përket, rrugës së muzikës, Keraj zbuloi se i kishte hyrë fare rastësisht pasi dëshira e tij kur ishte i vogël ishin sportet.
“Unë fëmijë nuk kam pasur fort qejf muzikën, kam pasur lojërat me sporte, basketboll, futboll, boks. Mirëpo një grup shokësh të mi, u nisën për në Tiranë për të dhënë provim te Liceu Artistik, hajde thash po shkoj dhe unë. Edhe nisem me këta kot. Kur te Liceu më del një djalë biond i ri, edhe më pyet për ça ka ardhur. I them për ta provuar. Më çon një dhomë me piano dhe më provon, më thotë qenke mirë. E kalova e pyeta? Jo tha tani ke provimin. Më çon në një dhomë me dy burra të mëdhenj, një nga ata ishte Robert Radoja. Më provuan dhe më thanë do të kthejmë përgjigje. Nisem për në Shkodër dhe prindërit nuk e dinin fare, menduan që kisha shkuar te tezja në Tiranë. Kështu më thanë që ke fituar dhe filloi rrugëtimi im në muzikë”.
Sakaq, Ruzhdiu tregoi se çfarë është arti për të, duke u ndalur te mësuesja e letërsisë, e cila i kishte shtuar dëshirën për të shkruar që kur ishte nxënës.
“Arti për mua është… Një simfoni ka tre kohë, është koha e parë muzika, koha e dytë piktura dhe koha e tretë shkrimet. Kjo është jeta jemi, duke vu disa piketa të vogla te këto tre artet. Kulmi është muzika, mandej letërsia. Letërsia ka një gjë interesante në Liceu Artistik ne mësuese letërsie kemi pasur zonjën Pandora Dedja, një mesuese e mrekullueshme. Ajo na stimulonte që të shkruanim se lexonim hartimet, poezi, tregime dhe bëm gazetën e murit “Letrari i Ri”. Edhe filluan nxënësit të shkruajnë, fillova unë, Faslli Haliti, poet tepër i njohur, në atë kohë vazhdonte pikturën. Shumë karikaturista filluan të shkruanin për të vënë punët e tyre. Kështu që ishte një mësuese që na e futi dëshirën për të shkruar. Nuk u bëra kurrë poet, shkruaj ndonjë poezi, po jo poet sepse është fjalë e madhe”./abcnews.al