Lec Shkreli është një piktorët më origjinal shqiptar, arti i të cilit nuk njeh kufij. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ai ka zbuluar se një ndër zhanret e pikturës që lëvron më së shumti është dhe portreti.
Shkreli ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur një muzë të mirëfilltë, por herë pas here për të pasur sa më shumë larmishmëri pikturonte dhe studentet që i vinin në studio.
“Nuk kam pasur asnjëherë një muzë të mirëfilltë. Të gjitha i kam bërë me imagjinatë. Unë kam shfrytëzuar shumë dhe studentet që vinin këtu, për një tip të ri, për një karakter. I kam mbajtur çerek ore, 20 minuta, sa për të mbajtur një portret të ri, që edhe mos të ngjajë njëri me tjetrin, që të jetë një tjetër karakter, një tjetër pikë. Natyrisht, pastaj kam punuar për sa i përket linjave, formave, sepse kërkon patjetër një impostim të këtyre, jo të kopjosh kostumin pastaj siç është se ajo etnografi pastaj.
Kurse në këtë mënyrë, ndjehet që ka një kërkesë në anën krijuese dhe në këtë pikëpamje. Edhe asnjë nga këto portrete, nuk ka të bëjë fare me këto bizhuteritë. Janë vendosur sipas dëshirës sime”, u shpreh ai.
Më tej, Shkreli theksoi se tani është duke punuar për një ekspozitë, por që shpesh ndërhyn nëpër piktura, si pasojë ndryshojnë dhe datat e tyre.
“Tani jam duke punuar për një ekspozitë timen, që do jetë me kompozime, portrete dhe peisazhe. Ne shpeshherë i prishim datat e pikturës, sepse ka shumë raste kur unë marr punët që kam marr më përpara dhe e shoh, edhe nuk më kënaq. Filloj prap punoj mbi të, natyrisht prishet dhe data atje, sa herë i ndërroj”, tha piktori./abcnews.al