E ftuara e radhës në emisionin ‘Pas Mesnate’ është aktorja e shumë roleve, Anila Bisha. Ajo ka rrëfyer se si nisi karriera e saj, që në moshë të vogël, kur erdhi nga Shkodra në Kinostudio.
“Karriera ime nisi krejt rastësisht, një mikesha e familjes sonë që ishte regjisore montazhi në Kinostudio, donte një vajzë të re, pasi filmi nuk kishte femra. Edhe vjen në shtëpi, ta marrim Anilën. Kisha frikë se isha 14 vjeç dhe si do ikja. Po nga që ishte ajo mikesha e familjes, kisha një lloj sigurie, më mori nga Shkodra”, zbuloi Anila.
Më tej, ajo u ndal dhe te aktoret që e kanë frymëzuar dhe janë më të preferuarat e saj. Anila veçoi nga shqiptaret Roza Anagnostin, Tinka Kurtin dhe Margarita Xhepën, ndërsa nga të huajat Meryl Streep.
“Aktoret shqiptare që më kanë frymëzuar, sigurisht aktoret e viteve 70-80, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, pastaj vinin aktoret më të reja si Pavlina Mani, deri tek këto më të rejat, Matilda Makoçi, Elvira Diamanti, Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, tashmë jemi dhe mikesha prej vitesh.
Ndërsa, nga aktoret e huaja të vetmen që unë e veçoj nga të gjitha është Meryl Streep, për ngjyrat që ajo sjell në ekran, në kinema, është më e mira besoj. Ka dhe aktore të tjera të mira, madje dhe ato që dikur janë mbajtur si ikona bukurie, me kalimin e viteve janë zhvilluar, siç është Nicole Kidman, ka bërë role të jashtëzakonshme”, shtoi aktorja./abcnews.al