Kur përfundoi ajo ndeshje në 17 dhjetor të vitit 1967, njerëzit nuk po u besonin syve. Askush nuk e kishte menduar se Shqipëria aq e vogël e trajnerit Loro Boriçi do të mund të merrte barazim dhe të detyronte të eliminohej një skuadër të jashtëzakonshme si Gjermania Perëndimore e asaj kohe.
Gjithsesi, në “Qemal Stafa” përfundoi 0-0, nënkampionët e botës nuk shkuan në Kampionatin Europian, dhe ajo ishte “vrasja” e parë e një gjigandi nga kuqezinjtë.
Nuk do të ndodhnin shumë të tilla më vonë.
E kujtojmë këtë sepse pikërisht këtë të premte do të kemi përballë një ekip krejt të veçantë, gjithashtu shumë masiv dhe për më tepër që ka shpikur futbollin.
Në historinë tonë jo edhe aq të shkurtër si kombëtare, rreth 80-vjeçare, ia kemi dalë edhe vetëm dy herë, nëse flasim për tronditje të vërteta.
Ishte sërish një ditë dhjetori, në vitin 1984, kur Belgjika doli me shumë vetëbesim në fushën e “Qemal Stafës”, por mori një disfatë që e tronditi.
Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Shyqyri Rreli fitoi 2-0 me golat e shënuar nga Mirel Josa dhe I paharruari Arben Minga, duke I dhënë vetes shpresë për të shkuar në finalet e Botërorit në Meksikë.
U desh të kalonin 20 vjet, këtë herë në 4 shtator 2004, që kuqezinjtë të thyenin kampionen e Europës në fuqi, edhe pse ajo e kishte emrin Greqi.
Nuk ka shumë për të thënë për atë ndeshje, që është analizuar në hollësi, ndërsa fitorja 2-1 u arrit nga rrjetat e një Edvin Murati dhe Adrian Aliaj.
Nëse do të donim ta zgjasnim listën, do të shtonim fitoren tepër prestigjioze ndaj Francës në 13 qershor 2015, në kohën e De Biazit, me golin e Ergys Kaçes, edhe pse ajo ishte vetëm një miqësore në “Elbasan Arena”.
Në kohën kur ndodhi, bëri bujë edhe fitorja 3-1 në Shkodër kundër Rusisë në mars 2003, në eliminatoret e Europianit, dhe për ne shënuan Rraklli, Lala e Tare.
Sidoqoftë, vitet e fundit vlerësimi për veten I kombëtares është rritur për shkak të kualifikimit dhe pjesëmarrjes në dy faza finale të kampionateve europiane, në 2016 me De Biazin dhe në 2024 me Silvinjon.
Sidoqoftë, kompleksin e të voglit ndaj gjigandëve ende nuk e kemi hequr, siç e kanë treguar ndeshjet ndaj Italisë, Spanjës e vetë Anglisë.
Shpresojmë që në Londër të ndodhë një tjetër mrekulli./abcnews.al