Hellas Verona po kalon një moment të jashtëzakonshëm në kampionat, aty ku nuk humbet prej 8 ndeshjesh. Ekipi i rikthyer këtë vit në Serie A renditet në vend të gjashtë dhe dyshja Rrahmani-Kumbulla po shkëlqejnë me paraqitjet e tyre.
Mbrojtësi dardan, Amir Rrahmani do të transferohet në fund të sezonit te Napoli, por ai është i përqendruar për të mbyllur sa më mirë sezonin me Veronën. 25-vjeçari sqaron situatën e bukur që po kalon në një deklaratë për L’Arena, teksa nuk i kursen elozhet për Marash Kumbullën.
“Nuk pati ndonjë festë të veçantë pas fitores me Juventusin, thjesht përjetuam një gëzim të madh. Të dielën në mëngjes ishim të gjithë të përqendruar te ndeshja me Udinesen. Objektivi ynë mbetet qëndrimi në Serie A, më pas do mendojmë për gjëra të tjera.
“Unë dua të afirmohem në Serie A dhe të shënoj gola. Kam pasur disa mundësi, por nuk ia kam dalë. Jam i bindur që goli do të vijë, herët apo vonë. Ndihem mirë me shokët e skuadrës, kemi krijuar një grup shumë të mirë. Marrëdhënie më të veçanta kam me Kumbullën, Radunovic dhe Gunter.
Në Kosovë vazhdojnë të shkruajnë se transferimi im te Napoli është më i shtrenjti i historisë së futbollit të vendit tim. Unë nuk e mbaj mendjen aty. Deri në qershor jam një futbollist i Veronës dhe jam krenar që vesh këtë fanellë. Jam i vendosur për ta mbyllur sa më mirë sezonin. Kumbulla si De Ligt? Sigurisht, ndoshta edhe më i fortë se holandezi“, përfundon Rrahmani. /abcnews.al