Presidenti iranian Rouhani ka kërcënuar SHBA-të në rast të largimit nga Pakti Ndërkombëtar Bërthamor. Kreu i shtetit thotë se Uashingtoni do të pendohet si kurrë më parë nëse merr një vendim të tillë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vijon me linjën e tij të politikës së ashpër ndaj marrëveshjes bërthamore me Teheranin. Gjatë një bisede telefonike me kryeministren britanike, Theresa May, ka theksuar “angazhimin e tij për të siguruar që Irani kurrë nuk do të posedojë armë atomike”.
Kjo është bërë e ditur nga Shtëpia e Bardhë me anë të një deklarate. Por presidenti Hassan Rouhani i kundërpërgjigjet atij me një sulm të drejtëpërdrejtë verbal.
Irani, u shpreh ai në një fjalim drejtuar kombit, është i gatshëm të reagojë në çdo mënyrë nëse Trump vendos t’i japë fund akordit nuklear me Teheranin. Gjithashtu paralajmëron se SHBA-të për ndonjë vendim të pamatur.
“Kemi plane për t’i rezistuar çfarëdo lloj vendimi të Trump për marrëveshjen bërthamore”, nënvizoi Rouhani.
“Nëse SHBA-të largohen nga pakti, do të shikoni shumë shpejt se do të pendohen si kurrë më parë në histori”, shton më tej ai.
“Ka vetëm një shtet, një vend të vogël dhe një regjim që pohon se marrëveshja bërthamore me Iranin ishte një gabim dhe ato janë SHBA, Arabia Saudite dhe Izraeli”, tha Rouhani gjatë fjalimit në Sabzevar , në provincën e Khorasan Razavit, transmetuar nga televizioni shtetëror.
“Deklaratat e Presidentit amerikan gjatë 15 muajve të mandatit të tij, në të cilat pretendon se marrëveshja është më e keqja e nënshkruar ndonjëherë, nuk janë logjike”, vazhdoi ai.
“Irani nuk do të mbajë bisedime me asnjë rreth mekanizmave të tij të mbrojtjes dhe nuk është puna e dikujt të dijë vendimet tona rreth asaj se si do të mbrojmë veten”, përfundon presidenti Iranian.
Pasojat në rast të tërheqjes nga marrëveshja e Shteteve të Bashkuara janë të mëdha. Në nivelin ekonomik, nga aeroplanët në fushat e naftës, përfshihen miliarda dollarë investime. Çdo kthim i sanksioneve para marrëveshjes do të ishte katastrofike. Megjithatë, për këtë çështje vendimi duhet të merret deri me 12 Maj, kur skadon dhe afati për rinovimin 3 mujor të paktit me Iranin./abcnews.al