Roshi i domosdoshëm te Shqipëria, është njeriu asist

schedule21:46 - 17 Tetor, 2019

schedule 21:46 - 17 Tetor, 2019

Odise Roshi është një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare vitet e fundit. Futbollisti i krahut jo vetëm ka shënuar gola, por ka ndihmuar edhe sulmuesit për të realizuar.

Në futboll as nuk fitohet, dhe as nuk shënohet vetëm. Edhe të tillë si Pele e Maradona nuk ia kanë dalë, pra nuk mund të ndodhë kjo as në kombëtaren e Shqipërisë, ku çelësin për të shkuar te rrjeta e mban më shumë se të gjithë, një emër i njohur.

Odise Roshi është njeriu që të gjithë sulmuesit e duan në fushë. Lojtari 28-vjeçar i krahut ka ndihmuar Balajn, Sadikun, Cikalleshin apo Manajn për të realizuar, e normalisht dhe ekipin përfaqësues për të marrë pikë të rëndësishme në eliminatoret e Europianit apo Botërorit.

Nuk kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga ndeshja Portugali-Shqipëri, që u vendos nga goli i Bekim Balajt, shënuar pas pasimit të fundit që mori pikërisht nga Roshi. Më shumë se të gjithë prej tij ka përfituar Armando Sadiku, golashënuesi më i mirë kuqezi i viteve të fundit.

Ai shfrytëzoi pasimet e fierakut në ndeshje të ndryshme, duke nisur nga sfida historike në Armeni, ku u sigurua kualifikimi për në Euro 2016. Më pas, në miqësoren me Ukrainën para Europianit, në eliminatoret e Botërorit në Izrael, për të arritur në dy asistet në ndeshjen miqësore në fushën e Turqisë, fituar 3-2 nën drejtimin e ish-trajnerit Christian Panucci.

Roshi mbetet i vlefshëm edhe sot. Askush nuk e harron ndihmën e tij në ndeshjet e fundit. Ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena”, për eliminatoret e Europianit, shërbeu për Sokol Cikalleshin. Po ndaj Moldavisë, këtë herë në transfertë, krijoi golin e katërt të Rey Manajt. Natyrisht, futbollisti që luan në Premier Ligën Ruse me Akhmat e Grozny, di edhe të shënojë. Këtë e ka bërë 5 herë me fanellën e kombëtares. /ABC NEWS 24/7