Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, nuk është aspak i kënaqur me ecurinë e bardhezinjve në Champions League. Ideja e largimit të tij nga Serie A tashmë nuk është më një thashethem merkatoje, por mund të bëhet realitet këtë vere.
Mediat franceze këmbëngulin se ai kërkon kalimin te PSG-ja, pasi portugezi beson se me ta mund të fitojë sërish Championsin. Siç flitet, agjenti i Ronaldos, Jorge Mendes, do të takohet me drejtorin sportiv të francezëve, Leonardon, gjatë ndeshjeve të Championsit në Portugali.
Sezoni që lamë pas ishte më i miri për 35-vjeçarin, që kur është transferuar në Itali, ku ai shënoi plot 31 gola. Titulli kampion nuk është i mjaftueshëm për të sepse ai kërkon dhe suksesin në Europë.
Gjithsesi situata mund të ketë ndryshuar tashmë me shkarkimin e Maurizio Sarrit dhe me ardhjen në stol të Andrea Pirlos. Kontrata e tij me “Zonjën e Vjetër” përfundon në qershor të vitit 2022 dhe gjithçka pritet të vendoset në ditët në vijim. /abcnews.al

